Transmetuar më 05-06-2025, 10:14

ITALI- Një tjëtër ngjarje e rëndë ku ka mbetur viktimë një 30-vjeçare rumune është regjistruar në Itali. Trupi i masakruar i Maria Denisa Paun, e njohur edhe si “Adas” u gjet më 4 qershor në një zonë të pyllëzuar pranë një shtëpie të braktisur në Montecatini Terme. Viktima mësohet se është eskortë rumune 30-vjeçare që jetonte në Romë. Trupi i saj i gjymtuar ishte fshehur midis shkurreve. Sipas raportimeve trupi ishte pa kokë dhe i djegur pjesërisht.

Denisa ishte zhdukur natën e 15 majit në Prato. Disa orë pas gjetjes së trupi Karabinierët arrestuan një 32-vjeçar rumun, Vasile Frumuzache. Ai punonte si roje sigurie dhe konsiderohej i armatosur e shumë i rrezikshëm.

Frumuzache e ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar: “Ajo po më shantazhonte, prandaj e vrava.” Sipas hetimeve të Prokurorisë së Pratos dhe Karabinierëve të Firences, nën drejtimin e prokurorit Luca Tescaroli, Denisa u vra natën e zhdukjes së saj në dhomën 101 të një rezidence në rrugën Ferrucci në Prato, ku ajo priste klientët. Një kamerë sigurie regjistroi autorin duke hyrë në rezidencë në orën 22:50 me një çantë të zezë dhe duke qëndruar aty për më shumë se dy orë.

Rreth orës 01:05 të mëngjesit, kamera e regjistroi sërish teksa largohej me valixhen e bardhë të Denisës. Brenda saj ndodhej trupi i pajetë i gruas, i cili më pas u transferua në bagazhin e Golfit të autorit. Trupi u gjet mëngjesin e 4 qershorit, në një zonë të pyllëzuar jo larg klubit “Le Panteraie”, falë gjurmimit të GPS-it të makinës së autorit, i instaluar nga kompania e sigurimeve. Vetëm disa metra më tutje, u gjet edhe valixhja e bardhë.

Urdhër-arresti për Frumuzache u lëshua mbi bazën e pamjeve të kamerave, analizës së të dhënave telefonike dhe pozicionimit GPS. Prokuroria dyshon se ai ka vepruar i vetëm, por motivi përfundimtar i krimit mbetet ende nën hetim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit