

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, është sekuestruar një arë me sipërfaqe 9000m2 në Fushë-Prezë.
Siç bëhet me dije në njoftimin e Prokurorisë, sekuestroja ka ardhur pas kallëzimit të bërë nga shtetasi me inicialet M.D, se toka e gjyshit të tij nuk figuronte më në pasurinë e familjes.
Pas hetimeve, rezulton se shtetasi Altin Topalli e ka përvetësuar padrejtësisht këtë tokë dhe e ka shitur për vlerën 100 mijë euro.
Kur është marrë në pyetje lidhur me këtë pasuri që rezulton të jetë jo vetëm e tij, por e të gjithë familjes që prej vitit 1992, ai ka dhënë dy versione.
“Rezulton se shtetasi A.T. zotëronte këtë pasuri. I pyetur për blerjen, shtetasi A.T. ka dhënë dy versione për pasurinë, një herë se prona ka qenë e babait të tij dhe ai disponon dokumentacion të vjetër dhe më pas ka deklaruar se e ka blerë. Ndërkohë që nuk ka të dhëna se shtetasit e mësipërm kanë pasur aftësi paguese dhe burim për të paguar shumën e parave prej 62.203.500 lekë apo (450.000 Euro) të paguar për blerjen e pasurisë. Këtë pasuri shtetasi A.T. ia dhuron në vitin 2016 shtetases B.V, e përfaqësuar me prokurë nga A.V. Ky shtetas shpjegoi se pasurinë e mësipërme e ka blerë në vlerën 100.000 Euro nga A.T”, thotë Prokuroria.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






