

Tiranë, 4 qershor 2025 – Në një dëshmi tronditëse para Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani ka rrëfyer detaje të reja mbi aktivitetin e grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu. Ai deklaroi se komunikonte me Haxhiun përmes një sistemi të enkriptuar të quajtur "chat-email", që përdorej ekskluzivisht për qëllime kriminale dhe kushtonte 600 euro në muaj.
Sipas dëshmisë, Tafani u njoh për herë të parë me Haxhiun në një takim në Dajt, ku u vendos menjëherë në dijeni se do përfshihej në aktivitete të paligjshme. “Më morën në një restorant në Dajt, dhe pastaj qëndruam në një suitë. M’u duk e çuditshme që më kishin marrë me vete, sidomos kur pashë që aty ishte vetë Laert Haxhiu”, u shpreh ai.
Në vijim të dëshmisë, Tafani pranoi se kishte vendosur 100 gram tritol në një banesë në Lushnjë, si formë presioni ndaj një personi që nuk kishte shlyer borxhin për “mallin” e marrë nga grupi. Ai shtoi se kjo ishte prova e parë për të treguar gatishmërinë ndaj grupit kriminal: “Vendosa 100 gram tritol. E ndeza fitilin dhe u largova në këmbë.”
Më pas, Tafani tregoi se ishte përfshirë në një plan për vrasje me pagesë në Tepelenë, ku do të paguhej 25 mijë euro. Emri i objektivit ishte Çajup Selimi. Ai pranoi se ishte i bllokuar nga frika dhe presioni: “U ndjeva i bllokuar… të gjithë i rrinin pinc Laertit,” përfundoi Tafani.
Seanca pritet të vijojë me dëshmi të tjera të thella mbi strukturën dhe veprimtarinë e grupit të Laert Haxhiut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






