Transmetuar më 04-06-2025, 12:57

Tiranë, 4 qershor 2025 – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënime të rënda për dy të pandehurit kryesorë të përfshirë në vrasjen mafioze të Edmond Papës, ngjarje që tronditi opinionin publik në dhjetor të vitit 2022. Sipas kërkesës së lexuar nga prokurori Albert Kulici, 30 vite burg kërkohen për Andrew Bode, i akuzuar si ekzekutori i Papës, ndërsa 25 vite për bashkëpunëtorin Alban Velo.

Të dy akuzohen për “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe për “mbajtje pa leje të armëve”. Prokuroria kërkoi gjithashtu që dënimet të kryhen në burg të sigurisë së lartë për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin personat në fjalë.

Edmond Papa u vra më 16 dhjetor 2022 në një lokal në zonën e Selitës, teksa ishte duke pirë kafe. Ai dyshohet të ketë qenë i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Turqia në Shqipëri dhe më pas drejt Britanisë së Madhe, si dhe në aktivitete të pastrimit të parave. Sipas hetimeve, ai jetonte mes Sarandës dhe Fierit, por kishte udhëtime të shpeshta jashtë vendit.

Vrasja e Papës u pasua me dy ekzekutime të tjera në Greqi, ku mbetën të vrarë shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tria vrasjet dyshohet të kenë lidhje me zhdukjen e një sasie prej 700 kilogramësh kanabis dhe urdhri për ekzekutimet dyshohet se ka dalë nga burgu grek, ku ndodhet Klodian Lekocaj, i identifikuar si lider i një grupi mafioz shqiptar.

Pas këtyre vrasjeve, është zhdukur pa gjurmë dhe Leonardi, një mik i ngushtë i dy viktimave në Greqi. Dyshohet se edhe ai është eliminuar, por autoritetet nuk kanë ende informacion të konfirmuar për fatin e tij. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet greke.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit