

Strasburg, 4 qershor 2025 – Zgjedhjet vendore të 11 majit në Shqipëri janë diskutuar sot në Komitetin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, ku eurodeputeti gjerman Michael Gahler, udhëheqës i misionit vëzhgues të PE, prezantoi vlerësimin paraprak për procesin.
Gahler theksoi se zgjedhjet ishin teknikisht të mirëorganizuara, por u zhvilluan në një klimë të polarizuar politike, me avantazhe të dukshme për Partinë Socialiste në pushtet. Ai ngriti shqetësime serioze për presionin mbi votuesit, sidomos punonjësit publikë, dhe për përdorimin elektoral të burimeve shtetërore.
“Përdorimi i aktivitetit ‘Giro d’Italia’, bonusi për pensionistët vetëm një muaj para zgjedhjeve dhe një amnisti e minutës së fundit për gjobat e papaguara janë shembuj të ndërhyrjeve që ndikuan në barazinë e garës”, tha Gahler.
Sipas tij, edhe vota e diasporës hasi vështirësi teknike dhe logjistike, sidomos përmes kompanisë DHL nga Greqia. Ai shtoi se në Elbasan u raportuan struktura të organizuara që devijonin votën, megjithëse kjo çështje i kalon kompetencat e misionit vëzhgues.
Eurodeputeti nënvizoi se është thelbësore miratimi me konsensus i një reforme të thellë zgjedhore në Parlamentin e ri dhe shprehu gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim. Raporti përfundimtar i vëzhgimit do të publikohet në fillim të korrikut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






