

Paris, 4 qershor 2025 – Tre shtetas serbë janë arrestuar nga autoritetet franceze pas një serie aktesh vandalizmi ndaj objekteve me rëndësi historike dhe fetare hebraike në Paris, përfshirë Muzeun e Holokaustit. Incidentet ndodhën në orët e para të mëngjesit të së shtunës, gjatë fundjavës, duke tronditur opinionin publik francez dhe ndërkombëtar.
Të dyshuarit akuzohen për spërkatjen me bojë të gjelbër të mureve të Muzeut të Holokaustit, tre sinagogave dhe një restoranti hebre në kryeqytetin francez. Arrestimi i tyre u krye më 2 qershor në Zuan-le-Pen, një destinacion turistik në jug të Francës, pas një hetimi të detajuar nga Policia, që përfshiu analizimin e bisedave telefonike dhe të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë.
Në pamjet e sekuestruara, shihet një person i veshur me të zeza duke spërkatur me bojë një mur, ndërsa dy persona të tjerë e shoqëronin, njëri prej të cilëve filmonte aktin me telefon.
Autoritetet franceze po hetojnë edhe për motive të mundshme ideologjike ose elementë të urrejtjes racore që mund të kenë shtyrë autorët drejt këtyre veprimeve. Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, e cilësoi ngjarjen si një “akt të neveritshëm të urrejtjes” dhe u zotua për ndëshkim maksimal ndaj autorëve të çfarëdo forme antisemitizmi.
Ngjarja ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik, ndërsa autoritetet kanë rritur sigurinë rreth objekteve fetare në kryeqytet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






