Transmetuar më 04-06-2025, 10:00

Durrës, 4 qershor 2025 – Ermir Dedja u ekzekutua me armë zjarr më shumë se dy javë më parë në Durrës , ndërsa janë zbardhur detaje të reja lidhur me krimin. Sipas informacioneve zyrtare, ka shkuar në 5 numri i personave në ngjarje, ku dy prej tyre janë arrestuar. Në pranga janë vënë Erion Ndoni dhe Klodian Berisha.

Në vijim të hetimeve, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, janë arrestuar shtetasit Erion Ndoni, 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe Klodian Berisha, 35 vjeç, banues në Durrës, për akuzën e “Kontrabandës me mallra të tjera”. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Xhuljano Dyrmishi, 33 vjeç, për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”.

Sipas hetimeve, të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim kanë bashkëpunuar për të kontrabanduar në Shqipëri dy automjete tip “Seat”. Njëri prej tyre u përdor gjatë ekzekutimit të 29-vjeçarit, ndërsa tjetri dyshohet se ishte parashikuar të përdorej në një tjetër ngjarje kriminale. Automjeti i dytë është sekuestruar nga Policia si provë materiale.

Hetimet zbuluan gjithashtu se dy ditë pas vrasjes, ishin identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë: një 44-vjeçar nga fshati Rrashbull dhe një shtetas maroken 46 vjeç. Ata akuzohen për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikim të mjeteve motorike”.

Të tre personat e shpallur në kërkim ndodhen jashtë Shqipërisë, ndërsa autoritetet shqiptare po punojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë theksuar se hetimet po vijojnë me intensitet, për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për kapjen e autorëve të tjerë të dyshuar për këtë krim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit