Transmetuar më 04-06-2025, 09:50

Tiranë, 4 qershor 2025 – Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, si autorë të dyshuar të një vjedhjeje të ndodhur në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku u mor një kasafortë që përmbante 15 000 euro.

Operacioni policor i koduar “Reagimi” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit të një qytetari për vjedhjen e ndodhur më 2 qershor 2025.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit Avenir Xhafa, 40 vjeç, dhe Leonard Gjika, 38 vjeç, të dy banues në Vlorë dhe me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje. Verifikimet zbuluan se Avenir Xhafa ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale.

Gjithashtu, policia sekuestroi automjetin e përdorur nga autorët për të realizuar grabitjen. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë për veprime të mëtejshme ligjore.

Operacioni “Reagimi” vjen si pjesë e përpjekjeve të strukturave të rendit për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit