Transmetuar më 03-06-2025, 13:38

Prishtinë- Nga ish-anëtare e qeverisë në Shqipëri, në kandidate për kryetare komune në Kosovë.

Besa Shahini, ish-ministre e Arsimit, njoftoi se do të garojë në zgjedhjet lokale për komunën e Prishtinës.

“Është një qytet kryesisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbra, kryesisht i papastër dhe jo shumë cilësor për fëmijët. Prishtinës i duhet një ndryshim radikal dhe një kahje tjetër zhvillimi. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, andaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të komunës në zgjedhjet lokale 2025”, tha Shahini.

Ajo u shpreh se para katër vjetësh u kthye për të jetuar në Prishtinë nga Tirana, por qyteti “ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vet”.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, mediat në Kosovë shkruajnë se Presidentja Vjosa Osmani ka planifikuar të mbajë një takim të rëndësishëm politik me qëllim përcaktimin e datës.

Besa Shahini ka qenë pjesë e qeverisë “Rama 2”. Ajo mori detyrën si ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë në vitin 2019. Këtë post ajo e mbajti për më shumë se një vit, ndërsa u pasua nga Evis Kushi.

Shahini, pas kthimit në Kosovë, është angazhuar në aktivitete të shoqërisë civile dhe është pjesë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit