

Tiranë- Në vijim të procesit gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, në seancën më të fundit të zhvilluar me dyer të mbyllura kanë dëshmuar pesë të mitur, të cilët u paraqitën si persona që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes tragjike.
Ndër ta ishte edhe i mituri K.B., i cili ndodhej në vendin e ngjarjes dhe për të cilin familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime dhe pretendime.
Sipas procedurave ligjore për të miturit, dëshmitë u morën pa praninë e të pandehurit Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e Martin Canit. Përlleshaj, përmes mbrojtësit të tij ligjor, vijon të mohojë se ka qëlluar drejt viktimës, duke deklaruar se objektivi i tij ka qenë Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur në të njëjtin incident.
Në seancën e ardhshme, pritet të dëshmojnë edhe shtatë persona të tjerë, nga të cilët katër janë të mitur. Edhe ata do të paraqiten në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen, teksa hetimet dhe procesi gjyqësor vijojnë të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të vrasjes së të miturit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






