

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë "detyrim paraqitje".
Ashtu si herët e tjera, Berisha pas daljes nga SPAK ka mbajtur fjalën e tij për mediat, ku tregoi dhe shënimin e lënë sot për kryeprokurorin Altin Dumanin. Këtë të fundit, Berisha e akuzoi se mbajti 22 ditë në zyrë urdhërarrestet e gjykatës për kartelin e drogës të goditur nga operacioni ndërkombëtar "Ura".
"Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo zyrë shteti që paguhet me rrogat më të larta në gadishullin e Ballkanit, paguhet me 7 mijë euro personin nga prokurorët për meritën e veçantë se komunikojnë dhe bëjnë pazare me kriminelët, do të shpallet seksion i kartelit Troplini. Do të shpallet seksion i kartelit më të fuqishëm të drogës në Europë, karteli i vetëm që administron portin kryesor të vendit, portin e Durrësit.
Ndaj dhe në shënimin që i lashë Altin Troplinit, e informova se sot e tutje nga Dumani, do ta quajmë Altin Troplini. Kjo për arsye të forta ligjore sepse ky bashkëpunëtor i kartelit më të rrezikshëm, më të fuqishëm të Europës, mbajti në zyrën e tij 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestin e Xhevdet Troplinit, Elvis Doçit apo Pojës, sepse Poja quhet në fakt ky kartel droge.
Dhe jo vetëm e mbajti 22 ditë, por e çoi për ekzekutim pasi Xhevdeti dhe Elvisi kishin mbërritur në destinacionet që kishin zgjedhur dhe të lirë sot, duke kontrolluar nga vendndodhjet e tyre përsëri në çdo metër katror portin e Durrësit dhe trarikun e kokainës. Ndaj dhe unë i lashë këtë shënim: Me mbajtjen për 22 ditë të fletëarrestit të gjykatës për bosët e kartelit më të madh në Europë të drogës, kartelit Troplini, Altin Dumani do regjistrohet si bashkëpunëtor kryesor i këtij karteli dhe do ndryshojë mbiemrin e tij nga Dumani në Altin Troplini.", u shpreh Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






