Transmetuar më 02-06-2025, 08:26

Ishte një fitore shkatërruese ajo e PSG-së ndaj Interit në finalen e Champions League, luajtur të shtunën në Mynih. Një “manita” (5-0) që do të mbetet në histori si humbja më e rëndë ndonjëherë në një finale të këtij kompeticioni dhe si finalja e dytë e humbur nga Simone Inzaghi e zikaltrit, pas asaj në Stamboll më 2023.

Në anën tjetër, Parisi festoi për një arritje historike, tirumfin e parë në Champions League, në historinë e klubit. Presidenti i PSG-së, Nasser Al Khelaifi, foli për mediat franceze (TF1) mes emocioneve, ndërsa skuadra e Luis Enrique po arrinte në Elize:

"Ndihem shumë i lumtur, krenar. Gati nuk më besohet, por gjithçka kemi bërë është për popullin e Parisit. Kemi punuar shumë për këtë, 14 vite punë për këtë trofe. Sinqerisht, nuk ka qenë aspak e lehtë për të arritur këtu. Është diçka e mrekullueshme, vetëm futbolli mund ta bëjë këtë. Ky sezon ishte vërtet i veçantë për PSG.

Nëse do ta kishim fituar më herët, ndoshta nuk do ta ndjenim kështu. Me gjithçka që kemi bërë në këto 14 vite, ky është shpërblimi i merituar, më në fund.  Ishte triumf shumë i rëndësishëm për Parisin, për Francën. Nuk flitet vetëm për PSG-në, por për gjithë vendin. Ne mbajmë flamurin francez në fanellë dhe jemi krenarë për këtë".

Në fund, një detaj simpatik dhe personal: "Të shtunën mbrëma kam fjetur me kupën. I thashë vetes ndoshta është një ëndërr dhe kur u zgjova e kuptova: jo, është e vërtetë. Ishte shumë e rëndësishme për Francën, për futbollin francez, që është kritikuar shpesh. Ne kemi kampionatin më të mirë, kemi presidentin më të mirë të ligës, Vincent Labrune, i cili u kritikua, por punoi me ne. Dhe tani duam të fitojmë përsëri".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit