

Tiranë, 1 Qershor 2025 – Pas ngjarjes tragjike të ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Brigada VIII”, ku një punëtor ndërtimi humbi jetën pasi ra nga lartësia gjatë punës në një pallat në ndërtim, Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa konkrete.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, përmes specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 2, ka arrestuar shtetasin Dario Hoxha, 32 vjeç, me detyrë inxhinier ndërtimi. Po ashtu, janë shpallur në kërkim administrator i firmës ndërtuese, shtetasi E. K., 34 vjeç, si dhe drejtuesi teknik, shtetasi R. J., 75 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ngjarja e rëndë ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, çka solli rrëzimin fatal të shtetasit të huaj V. N., 47 vjeç, me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.
Punëtori kishte rënë nga një lartësi e konsiderueshme gjatë kryerjes së detyrës së tij dhe kishte ndërruar jetë në vendngjarje, raporton noa.al.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vend për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të hetuar nëse janë respektuar standardet ligjore të sigurisë në punë.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd