

Një 57-vjeçar është gjetur i vrarë në orët e para të mëngjesit në oborrin e banesës së tij në fshatin Tale të Lezhës. Viktima, Pjetër Kaza, është gjetur pa shenja jete rreth orës 05:00 nga bashkëshortja, ndërsa dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.
Pjetër Kaza punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, ishte kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate.
Dyshohet se vrasja e tij lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.
Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit. Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit, për çka u dënua me 22 vite burg.
Konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.
Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza në kuadër të këtij konflikti, i cili duket se vijon prej më shumë se tri dekadash. Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






