Transmetuar më 31-05-2025, 17:13

ITALI- Një person që pretendohet se është punonjës i Ministrisë së Arsimit dhe Meritës (MIM) në Itali, ka tronditur opinionin publik dhe qeverinë italiane me një postim që ka bërë në rrjetet sociale.

Ai ka ndarë një mesazh ku i uron vajzës së vogël të Melonit, 7 vjeçe, “të njëjtin fat si Martina Carbonaro”, një vajzë nga Afragola që u vra tragjikisht nga i dashuri i saj.

Ky postim u denoncua nga partia Fratelli d’Italia, e cila e cilësoi si një mesazh “të frikshëm dhe të papranueshëm”. Lidhur me këtë ka reaguar dhe vetë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

“Kjo nuk është një përplasje politike. Nuk është as zemërim. Është diçka më e errët, që tregon për një klimë të sëmurë, një urrejtje ideologjike, në të cilën gjithçka duket e lejueshme, madje edhe dëshira për vdekjen e një fëmije, vetëm për të sulmuar një prind. Dhe kundër kësaj klime të dhunshme, politika, e gjithë ajo, duhet të dijë të bashkohet. Sepse ka kufij që nuk duhen kaluar kurrë. Dhe mbrojtja e këtyre kufijve është një përgjegjësi që shkon përtej çdo përkatësie”, u shpreh Meloni, duke mbledhur solidaritet nga e gjithë bota politike, nga e djathta në të majtë.

Ndërkohë, Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka premtuar të hetojë autorin që shpërndau mesazhin kërcënues në rrjetet sociale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit