

Mira Murati, një nga figurat më të shquara në fushën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, është tashmë zyrtarisht mes 50 grave më të pushtetshme në botë, sipas listës më të fundit të publikuar nga revista prestigjioze Fortune.
Në renditjen e kaluar ajo pozicionohej në vendin e 57-të, por këtë vit ka shënuar një ngjitje domethënëse, duke u renditur në vendin e 47. Ky progres reflekton jo vetëm ndikimin e saj të vazhdueshëm në industrinë globale të teknologjisë, por edhe fuqinë dhe vizionin që ajo përfaqëson si një lidere inovative.
Murati, dikur drejtoreshë e teknologjisë në OpenAI dhe një nga mendjet kyçe pas suksesit të ChatGPT, tronditi botën e teknologjisë kur dha dorëheqjen nga kompania në shtator të vitit 2024. Vetëm gjashtë muaj më pas, ajo riktheu vëmendjen botërore me lansimin e startup-it të saj të ri, Thinking Machines Lab – një projekt i Inteligjencës Artificiale që po krijon jehonë të madhe, pavarësisht se ende funksionon në mënyrë të fshehtë.
Edhe pse detajet për këtë sipërmarrje janë të kufizuara, ndikimi i saj është i dukshëm. Në maj 2025, Murati ishte në prag të mbylljes së një investimi rekord prej 2 miliardë dollarësh, që pritet të vlerësojë Thinking Machines në mbi 10 miliardë dollarë një prej raundeve më të mëdha të financimit në historinë e teknologjisë.
Me këtë arritje, Mira Murati jo vetëm që vendos emrin e saj në mesin e grave më me ndikim në botë, por edhe forcon rolin e shqiptarëve në skenën globale të inovacionit dhe lidershipit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






