Transmetuar më 31-05-2025, 12:38

SHIJAK – Kryebashkiaku Elton Arbana reagon për djegien e mbetjeve: “Zjarri, vepër e dashakeqësve”

Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas djegies së mbetjeve urbane në fshatin Hardhishtë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të qëllimshëm nga persona dashakeqës.

Në deklaratën e tij, Arbana falënderon emergjencat civile, zjarrfikëset e Shijakut dhe Durrësit, si dhe vullnetarët e zonës, që sipas tij kanë qenë në gatishmëri gjatë gjithë natës për neutralizimin e flakëve. Ai nënvizon se autorët e dyshuar duhet të identifikohen dhe të vihen përpara drejtësisë, duke theksuar se “të tillë persona nuk meritojnë të quhen shijakas apo të merren me politikë”.

Kryebashkiaku nuk ka nguruar të hedhë përgjegjësinë tek kundërshtarët politikë, duke i quajtur “qenie të neveritshme” dhe duke shtuar se qytetarët i kanë ndëshkuar në zgjedhjet e 11 majit.

Ngjarja u raportua mbrëmjen e djeshme nga banorët e zonës, të cilët denoncuan djegien e mbetjeve urbane dhe rrezikun për asfiksi nga tymi masiv. Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që mbeturinat grumbullohen dhe digjen në mënyrë të përsëritur në këtë zonë, duke shkaktuar shqetësim për shëndetin dhe mjedisin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit