Transmetuar më 31-05-2025, 11:46

Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, ka ndarë për “The Athletic” idetë dhe vizionin e tij për të ardhmen e klubit, në një intervistë të thelluar që vjen në një moment të rëndësishëm për zikaltrit. Me ardhjen e fondit amerikan “Oaktree” si pronar i ri, klubi po hyn në një fazë të re zhvillimi, të mbështetur nga stabiliteti ekonomik dhe synimet afatgjata.

“Me pronësinë amerikane kemi rënë dakord për të krijuar një model të ri, që do ta zbatojmë nga sezoni i ardhshëm. Na kanë garantuar stabilitet dhe siguri financiare, gjë që na lejon të ndërtojmë diçka afatgjatë. Investimet do të përqendrohen te profile pak më të rinj, që përfaqësojnë një vlerë reale; lojtarë me potencial, të dobishëm për të tashmen dhe të ardhmen”, – thekson Marotta, duke sqaruar strategjinë e merkatos që do të ndjekë Interi nën drejtimin e ri.

Megjithëse projekti nuk varet nga një emër i vetëm në pankinë, numri një i klubit ka fjalë të qarta dhe mbështetëse për trajnerin Simone Inzaghi, që ka fituar besimin e ambientit: “Simone është një trajner shumë i zoti. Di si t’i motivojë lojtarët dhe nuk krijon tensione të panevojshme. Skuadra luan futboll modern, duke kërkuar të shënojë sa më shumë dhe jo vetëm të mbrohet. Është një futboll që njerëzit e vlerësojnë dhe i argëton”.

Në lidhje me rrugëtimin e Interit në Champions League dhe rritjen e vazhdueshme të skuadrës në skenën europiane, Marotta bën një pasqyrë të qartë të progresit: “Që nga finalja e Stambollit ka nisur një proces, ku lojtarët kanë fituar vetëdije për vlerën e tyre. Kjo i ka bërë më të pjekur për të luajtur në skena të mëdha, si kjo finale e dytë. Të gjithë në sport e njohin këtë ndjenjë; duhet të mësosh të jetosh me gëzimet dhe hidhërimet. Siç thoshte Mandela: Nuk humbas kurrë. O fitoj, o mësoj”.

Për Marottën, kjo finale e Mynihut shënon përvojën e katërt në Champions League, por për herë të parë si president. Ai e sheh suksesin jo si rezultat të pasurisë, por të strukturës dhe vlerave: “Së pari, duhet që pronarët të kenë besim te menaxhmenti. Pastaj, duhet të kemi dy karakteristika: kompetencë dhe etikë pune, kulturë korporative. Nevojitet ndjenjë përkatësie ndaj klubit. Janë këto vlera që bëjnë diferencën. Nuk janë paratë, ato që fitojnë gjithçka; janë këto aspekte”.

Një tjetër temë që Marotta vë në qendër të debatit është mbingarkesa e kalendarit, problem që po preokupon gjithnjë e më shumë drejtuesit e klubeve të mëdha: “Është e rëndësishme që të bashkohemi për ta reduktuar sadopak kalendarin. Të luash 60 ndeshje në vit është e vështirë. Sipas meje, hapi i parë në Serie A duhet të jetë reduktimi i skuadrave nga 20 në 18, si në Bundesliga dhe Ligue 1. Po e shqyrtojnë edhe vende të tjera. Kjo, bashkë me përputhjen më të mirë të kalendarëve ndërkombëtarë me FIFA-n dhe federatat, do të ishte një hap përpara”.

Interi i Marottës është duke u projektuar si një skuadër që ndërton për të fituar jo vetëm sot, por edhe nesër. Me një strategji të qartë, drejtim të qëndrueshëm dhe vizion të hapur për sfidat e futbollit modern, zikaltrit synojnë të mbeten në elitë, brenda dhe jashtë fushës së blertë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit