Transmetuar më 31-05-2025, 11:28

Carlo Ancelotti nuk ka frikë nga aventurat e reja dhe këtë e ka treguar duke pranuar sfidën për të drejtuar Brazilin, pikërisht në një moment kur gjërat te Real Madridi nuk po shkonin mirë.

“Gjithmonë kam thënë të vërtetën. Prioriteti im ka qenë gjithmonë Real Madridi. Klubi më kishte ofruar rinovimin dhe nuk kam hezituar. Kam thënë se do të qëndroja aty sa më gjatë të ishte e mundur, – tregoi Ancelotti për “Marca”, – por rezultatet nuk ishin ato që prisnim. Edhe loja e skuadrës nuk ishte e mirë, ndaj m’u duk momenti për të bërë diçka ndryshe. Pas ndeshjes kundër Arsenalit, folëm me drejtuesit dhe vendosëm. Skuadra nuk po funksiononte dhe të gjithë e kuptuam se ishte më mirë që të ktheja sytë drejt Brazilit”.

Përveç logjikës, ka qenë edhe zgjedhje zemre, sepse Ancelotti ka pasur gjithmonë marrëdhënie të veçantë me lojtarët brazilianë, që nga koha te Milani me Kaká, Cafú e Dida, më pas me Ronaldon, Ronaldinhon e Paton: “Është një futboll ndryshe dhe pikërisht këtë duhet të arrijmë. Brazili im do të luajë si Real Madridi…, por jo ai i këtij viti, ai i sezonit të kaluar. Ky është qëllimi im. Brazili është kombëtarja më e mirë në botë. Nuk e them unë, e thonë pesë yjet mbi fanellën e tij. Tani sfida ime është ta dërgoj atë te ylli i gjashtë”.

Qëllimi është i qartë: të fitojë Botërorin 2026 me Brazilin, për të shkruar një tjetër kapitull të lavdishëm në karrierën e tij të pasur. Megjithatë, mallin për Madridin nuk e fsheh: “Do të shihemi sërish. Nuk e lë kurrë vërtet Real Madridin. Qyteti më ka trajtuar mrekullisht, respekti që ndieja çdo ditë ishte i veçantë. Nuk ka gjë tjetër si Real Madridi. Edhe Milano ka qenë shumë e veçantë për mua. Sidoqoftë, ajo që përjetova te Real Madridi nuk e has dot askund tjetër. Tri finalet, ato ndeshje, atmosfera e ‘Bernabéut’…, gjithçka”.

Në fund, një koment edhe për të birin, Davide Ancelotti, i cili nuk do të jetë menjëherë pjesë e projektit te Brazili: “Nuk kishte kuptim që të vinte për këto dy ndeshje, ndërkohë që po negocionte me një klub tjetër. Ai e di që dyert janë gjithmonë të hapura dhe mund t’i bashkohet projektit kurdo që të dojë. Është në rregull që dëshiron të vazhdojë karrierën e tij në mënyrë të pavarur, por Brazili e pret, kur ta ndiejë se është momenti i duhur”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit