

Durrës- Autori i dyshuar i plagosjes së 36-vjeçarit, Arber Gorgeja është identifikuar disa orë pas ngjarjes. Ai është identifikuar si Erkid Kazazi. Kazazi rezulton emër i njohur për policinë ndërsa po punohet për kapjen e tij.
Plagosja e Gorejas u regjistrua mbrëmjen e djeshme në zonën mes Shënavlashit dhe Fllakës. Goreja ka bërë me dije se është ndjekur nga një makinë tip "Ford" e cila më pas ka ndaluar paralelisht me mjetin e tij dhe ka hapur zjarr. Sipas tij ndaj tij është qëlluar 3 herë dhe ka marrë plagë në brinjë. Pas ngjarjes, ai ka arritur të shkojë vetë deri te Komisariati i Policisë, ku ka kërkuar ndihmë për të shkuar në spital.
36-vjeçari shprehet se nuk i njeh autorët dhe se nuk ka asnjë konflikt. Sipas tij autorët mund ta kenë ngatërruar me persona të tjerë. Më tej bëhet me dije se shënjestra ka mbetur i plagosur edhe dy vite më parë në një atentat.
Njoftimi:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 36-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë vijuar veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 30.05.2025, në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 19:30, të datës 30.05.2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”, shtetasi K. K., duke lëvizur me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një parakalimi, drejt automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës. Si pasojë, shtetasi A. G. mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit 14 e 15-vjeç që udhëtonin me të nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, shtetasi A. G., ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të shtetasit K. K., i cili ka pësuar dëmtime fizike jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






