

Pas një sezoni të mbushur me zhgënjime dhe tension, Zlatan Ibrahimović ka zgjedhur të thyejë heshtjen përmes një postimi kuptimplotë në rrjetet sociale, duke folur si figurë kyçe drejtuese e Milanit dhe zë motivues për të ardhmen.
Këshilltari i lartë i “RedBird” dhe një nga legjendat më të mëdha në historinë e klubit kuqezi, ka bërë një analizë të sinqertë dhe të prerë mbi ecurinë e skuadrës, por ka shprehur edhe besim të palëkundur në rikthimin e madh.
Pavarësisht një vere të kaluar me investime dhe ndryshime në pankinë, fillimisht me Paulo Fonseca dhe më pas me Sergio Conceição, Milani nuk arriti t’i përmbushte pritshmëritë, duke e mbyllur sezonin vetëm me një trofe të vogël (Superkupën e Italisë) dhe finale e humbur në Kupën e Italisë.
Ky bilanc, për një klub si Milani mbetet i papranueshëm. Në një moment reflektimi, Ibrahimović pranon: “Ky nuk ishte sezoni që kemi ëndërruar. Nuk ishte për çfarë kemi luftuar. Një trofe, një finale e humbur e Kupës së Italisë janë jo të mjaftueshme për një klub si i yni”.
I kritikuar hapur nga “Curva Sud” gjatë protestës para “Casa Milan”, Ibra ka zgjedhur të mos heshtë, por të japë një sinjal force dhe vetëdije për gabimet. Ai sheh në këto dështime një mundësi për rindërtim, për ta kthyer dështimin në motivim: “Gabimet e bëra janë zjarri për të ndërtuar të ardhmen”.
Dhe si gjithmonë, përfundimi i mesazhit nuk mund të mos përçonte mentalitetin e luftëtarit, çka e ka karakterizuar karrierën e tij, frymë që do ta injektojë në klubin kuqezi, tashmë nga jashtë fushës: “Këtë sezon mund ta kemi humbur betejën, por e ardhmja do të tregojë kush do ta fitojë luftën. Do të ngrihemi, do të rritemi dhe do të rikthehemi më të fortë. Forca Milan, gjithmonë!”
Ky mesazh i Ibrahimović vjen jo vetëm si një përpjekje për të qetësuar ambientin, por edhe si sinjal i qartë: Milani do të reagojë. Dhe lufta, sipas tij, sapo ka filluar…

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






