

Në prag të finales së Ligës së Kampionëve, një nga protagonistët më të shumëpritur, Ousmane Dembélé, zgjodhi të linte mënjanë çdo diskutim personal dhe të përqendrohet plotësisht në objektivin kolektiv: fitoren e PSG-së. Në një intervistë për “TNT Sports”, anësori francez deklaroi se nuk dëshiron të mendojë për “Topin e Artë”, pavarësisht zërave dhe këshillave nga njerëzit pranë tij.
“Të gjithë më flasin për këtë, por sinqerisht nuk mendoj për të, – tha Dembélé. – Para së gjithash duhet të fitojmë Champions-in. Kur luan për PSG-në, trofetë e skuadrës kanë më shumë rëndësi sesa ato individualë. Të marrim këtë trofe në shtëpi është e vetmja gjë që ka rëndësi”.
Numri 10 i PSG-së, autor i një sezoni në rritje dhe vendimtar në rrugëtimin europian të klubit, nuk e nënvlerëson aspak kundërshtarin: “Do të jetë e vështirë kundër Interit, i kam ndjekur gjatë gjithë sezonit, sepse atje luan Marcus Thuram. Janë një grup solid, me lojtarë që luajnë bashkë prej 4-5 vitesh. Do të jetë një ndeshje e fortë”.
Finalja e sotme nuk do të jetë vetëm një përballje për të ngritur trofeun më prestigjioz të Europës për klubet, por edhe moment vendimtar në garën për “Topin e Artë” të ardhshëm. Sidoqoftë, Dembélé ka zgjedhur rrugën e përulësisë dhe përqendrimit: së pari Champions-i, pastaj çmimet personale. Një mesazh i qartë, që tregon maturinë dhe ambicien kolektive pariziene.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






