Transmetuar më 31-05-2025, 08:19

Sot në orën 10:30 pritet të mbahet vazhdimi i seancës së 24-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, Kuvendi vazhdon të mos arrijë të zgjedhë kryetarin e ri.

Kandidatura e Albulena Haxhiut, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin të sigurojë shumicën prej 61 votash të nevojshme për zgjedhje.

Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa këmbëngulin se nuk është e nevojshme një marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por përfaqësues të partive të tjera theksojnë se pa një marrëveshje të tillë, zgjidhja është e pamundur.

Po ashtu, këto tri subjekte politike po kërkojnë që votimi të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA. Këto parti argumentojnë se seanca ka filluar me votim të hapur dhe duhet të vazhdojë në të njëjtën formë.

Ndërkohë, grupi parlamentar i AAK-së është në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e kërkesës për votim të fshehtë, të cilën kjo parti e ka dërguar për shqyrtim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit