Transmetuar më 30-05-2025, 22:16

Presidenca: Nuk kemi asnjë kompetencë për të certifikuar zgjedhjet

Tiranë – Partia Demokratike ka hedhur një akuzë sot ndaj Presidentit të Republikës dhe kabinetit të tij duke sugjetuar se janë përfshirë në procesin zgjedhor dhe po përpiqen të certifikojnë rezultatin e kontestuar të zgjedhjeve, raporton noa.al.

Në një komunikim me noa.al, Presidenca tha sonte se akuzat nuk qëndrojnë dhe se e vetmja "ndërhyrje" e Presidentit në zgjedhje ishte caktimi i datës së tyre.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës dhe Institucioni i Presidentit të Republikës është organ kushtetutes i pavarur, pa asnjë rol në procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Por opozita pretendon se në kundërshtim me këtë përgjegjësi të z.Begaj dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, "rezulton e provuar përfshirja në procesin e administrimit të zgjedhjeve përmes Këshilltarit tuaj Ligjor Ilirjan Rusmali, në rolin e anëtarit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Për vetë rolin dhe përgjegjësinë që ka KAS në procesin e zgjedhjeve, mënyrës ligjore të zgjedhjes së anëtarëve të tij, si dhe procesit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të Republikës apo përgjegjësive të mëvonshme kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, angazhimi i Kabinetit tuaj në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme, është një ndërhyrje flagrante antikushtetuese e Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje."

Grupi parlamentar demokrat që aktualisht drejtohet nga Gazment Bardhi, në letrën dërguar Presidencës, shtroi më herët sot këtë pyetje:

"Z. President i Republikës,

Në përputhje me rolin tuaj kushtetues ju duhet të sqaroni nëse keni autorizuar përfshirjen e Kabinetit tuaj në certifikimin e “zgjedhjeve”, nëse qëndrimet e Kabinetit tuaj në sulmin publik ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike në KQZ përfaqësojnë edhe qëndrimet e Presidentit të Republikës, si dhe të ndërprisni menjëherë përfshirjen/angazhimin tuaj, përmes Kabinetit, në procesin e administrimit të zgjedhjeve, sepse sipas Kushtetutës dhe Ligjit, Institucioni i Presidentit të Republikës nuk ka asnjë përgjegjësi të këtillë. Ju keni përgjegjësinë e menjëhershme të ndërprisni shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet dhe të ruani paanësinë dhe neutralitetin politik të Institucionit të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor".

Në lidhje me këtë akuzë, Presidenca është e prerë kur pohon se as z.Begaj dhe as kabineti presidencial që ai drejton nuk mund të lidhen me procesin zgjedhor pasi vetë kodi elektoral e lë pa asnjë rol Presidentin, përveç caktimit të datës së zgjedhjeve.

Presidenti i ka kompetencat në raport me zgjedhjet, vetëm formale ose në rastin më të mirë, ekuilibruese.

Nga ana tjetër, Ilir Rusmali është duke kryer në KAS një detyrë shtetërore, të cilën ia ka ngarkuar Kuvendi dhe përgjigjet për të para tij, raporton oa.al.

Rusmali në KAS, zgjedhur nga Kuvendi me miratimin e mazhorancës dhe opozitës

Ilir Rusmali është anëtar i KAS-it që nga tetori i vitit 2020, i zgjedhur nga Kuvendi, jo nga Presidenti i Republikës, me konsensusin e të dyja palëve.

Fillimisht u zgjodh me mandat të rishikueshëm katërvjeçar, por në korrik të vitit 2024 Kuvendi, me konsensusin e të dy palëve ia zgjati mandatin deri në tetor të vitit 2029. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit