

PRISHTINË – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar të premten se do të ndërmarrë hapa ligjorë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nëse kjo e fundit nuk shfuqizon vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset e mëdha në vend.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi në një konferencë për media se partia ka dorëzuar një kundërshtim administrativ pranë ZRRE-së, ndërsa paralajmëroi se nëse vendimi nuk pezullohet brenda 15 ditëve, çështja do të dërgohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të kërkohet vendosja e një masë të përkohshme.
Sipas vendimit të ZRRE-së, duke filluar nga 1 qershori 2025, të gjitha bizneset e mëdha – ato me më shumë se 50 punonjës ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – do të dalin nga skema e tarifave të rregulluara dhe do të duhet të zgjedhin vetë një furnizues energjie në tregun e lirë. Nëse nuk e bëjnë, ato kalojnë automatikisht te furnizuesi i mundësisë së fundit, me çmime të parregulluara.
Tahiri e cilësoi këtë vendim si një goditje të rëndë për ekonominë e vendit, duke paralajmëruar pasoja si falimentime të mundshme, rritje të çmimeve dhe valë të re inflacioni.
“ZRRE ka vepruar në mënyrë të njëanshme, duke injoruar opinionin e odave ekonomike, organizatave profesionale dhe shoqërisë civile, si dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte vendosur për një liberalizim të drejtë dhe të sigurt,” u shpreh Tahiri.
Reagimi i bizneseve ka qenë i fortë. Vetëm një ditë më parë, qindra përfaqësues të kompanive bllokuan hyrjet në Prishtinë për disa orë, në shenjë proteste ndaj këtij vendimi. Ata kërkuan që zbatimi të shtyhet për të paktën një vit, pasi sipas tyre, nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për një kalim të tillë në tregun e hapur.
Në tregun energjetik të Kosovës aktualisht janë të licencuara 21 kompani furnizuese, ndërsa një tjetër është në proces licencimi. Megjithatë, shumica janë tregtarë energjie, jo prodhues, dhe sipas Tahirit, disa prej tyre ofrojnë çmime deri në 280% më të larta se tarifa aktuale. Ai shtoi se situata përkeqësohet edhe më tej nga pozita dominuese e KESCO-s, kompania që furnizon shumicën e konsumatorëve në vend.
ZRRE, nga ana e saj, e ka mbrojtur vendimin dhe ka bërë të ditur se ai mund të kundërshtohet vetëm në rrugë ligjore, ndërsa nuk ka sinjalizuar ndonjë tërheqje apo pezullim të mundshëm.
PDK ka bërë të qartë se nëse nuk ka reagim brenda afatit, do të kërkojë ndërhyrje gjyqësore për të ndaluar këtë që e konsideron si “rrezik për stabilitetin ekonomik dhe energjetik të vendit”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






