

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të Lulzim Bashës, duke e akuzuar se pas zgjedhjeve të 11 majit nuk denoncoi parregullsitë zgjedhore, por u përqendrua vetëm tek ruajtja e karriges së tij politike.
Në një deklaratë për mediat, Berisha kujtoi qëndrimin e tij të hershëm ndaj zgjedhjeve të vitit 2021, të cilat i cilësoi si një farsë të dokumentuar. Ai tha se më 27 prill të atij viti kishte publikuar një status me titull “Vota vdiq pa hyrë në kuti”, ku kishte renditur arsyet pse procesi zgjedhor, sipas tij, ishte i manipuluar.
“Lulzim Basha nuk vrapoi pas denoncimit të farsës elektorale, por vrapoi pas karriges së tij. Ai ndërpreu procesin e denoncimit dhe vuri në qendër interesin e tij personal,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se ndryshe nga Basha, që kishte "projekt tjetër", ai vetë dhe demokratët që e mbështesin janë të përkushtuar për të denoncuar çdo shkelje dhe për ta çuar përballjen deri në fund.
Berisha nënvizoi se Partia Demokratike është një forcë e hapur, demokratike dhe që nuk shmang analizën e gabimeve, por që fillimisht duhet të përballet me manipulimet e procesit zgjedhor.
“Bashkëpunëtorët e mi janë të bindur se këto ishin zgjedhje farsë dhe po bëjmë çdo përpjekje për ta denoncuar këtë proces. Është një punë e vështirë dhe e lodhshme, por ne jemi të vendosur,” deklaroi ai.
Në fund, Berisha ironizoi përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të marrë urime ndërkombëtare për rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë: “Edi Rama plas që të marrë një urim. U çon mesazhe të huajve, por nuk po i vjen askush.”
Sipas tij, heshtja ndërkombëtare është tregues i dyshimeve serioze mbi legjitimitetin e procesit zgjedhor. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






