

Javier Zanetti, nënkryetari i Interit, është lidhja e gjallë mes skuadrës kampione të vitit 2010 dhe asaj aktuale. Në intervistën për “Il Giorno”, ai theksoi: “Interi im ishte shumë i fortë, por edhe kjo skuadër është e tillë, sepse nuk arrin dot në finale rastësisht, pasi ke eliminuar Bayern Munich dhe Barcelonën. Nëse flasim për ditët para finales, atëherë ne ishim plot adrenalinë, pasi kishim fituar titullin dhe Kupën e Italisë. Këtë herë, trajneri dhe lojtarët duhet të përballen me zhgënjimin e titullit, që iu rrëshqiti nga duart. Është për të ardhur keq”.
A mund të ketë pasoja humbja e kampionatit?
Jo, nuk besoj. Djemtë janë shumë të motivuar. Për fat të keq ndodhën shumë gjëra në fundin e kampionatit, ndoshta humbja në rikuperimin ndaj Bologna ishte vendimtare, por tani duhet optimizëm. Skuadra beson, do të jetë një ndeshje shumë e ekuilibruar, shpresojmë në një fund të lumtur. Duhet vetëm ta lavdërojmë këtë grup lojtarësh, që ka arritur dy finale Champions-i në tri vite.
A ekziston edhe dëshira për ta shlyer finalen e Stambollit?
Sigurisht. Edhe në vitin 2023, në Stamboll, e meritonim ne fitoren: Ishim ‘outsider’, por e bëmë të vuante Manchester City. Na ka mbetur peng ajo finale, sepse luajtëm me guxim dhe krijuam shumë raste. Këtë herë mund të përsërisim të njëjtën paraqitje ndaj PSG-së.
Mentaliteti juaj si klub është gjithnjë e më shumë europian…
Nuk ka dyshime për këtë, por ka momente kur duhet të mendosh vetëm për rezultatin. A e patë Barcelonën në Milano, kur ishim në avantazh 3-2? Të gjithë katalanasit u hodhën në sulm dhe dolën jashtë detyrave, sepse deshën të sulmonin deri në fund. Në kohën time, lojtarë si Piqué dhe Puyol nuk do na lejonin të afroheshim fare te porta e tyre…
Lautaro Martinez është lojtari nga i cili tifozët e Interit presin shumë…
Tani është shumë mirë, pas një dëmtimi të vogël që e detyroi të ngadalësonte në javët e fundit. Para gjysmëfinales me Barcelonën kaloi një javë të tmerrshme, sepse nuk dinte nëse do t’ia dilte. Pas ndeshjes po qante, duke treguar se ka një zemër të madhe dhe lidhje të sinqertë me fanellën. Donte të luante me çdo kusht, bëri një punë fantastike. Ai është kapiteni dhe shembulli ynë, ka një ‘garra’ (grintë) unike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






