

Në një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, Ronaldo ("Fenomeni") nuk i kurseu fjalët për disa individë të veçantë, duke folur me admirim për Marcus Thuram: “Nuk i kam parë të gjitha ndeshjet e Interit këtë vit, vetëm ato më të rëndësishmet, por më mjaftoi e fundit në Champions, në ‘San Siro’.
M’u duk si sulmuesi që çdo sulmues tjetër do ta donte pranë. Unë kam luajtur kundër të atit, një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Me sa duket Liliam i ka trashëguar pak nga mentaliteti i tij. Një si Marcus në krah do të më kishte bërë të shënoja plot gola”.
I pyetur nëse ka menduar ndonjëherë se në “palmaresin” e tij mungon pikërisht Liga e Kampionëve, Ronaldo u përgjigj se nuk është i vetmi dhe se para pak kohësh i kishte rënë në dorë një listë me emrat e atyre që nuk ia dolën, duke përmendur Buffon, Matthäus, madje edhe Maradonën.
“Jam në një shoqëri të shkëlqyer, – shtoi ai me buzëqeshje. – Do të ishte bukur nëse kjo skuadër e sotme do të na dhuronte këtë gëzim, të vetmin që më mungon mua. Në fakt jo vetëm mua, por edhe të gjithë interistëve të djeshëm që, për një arsye apo tjetër, nuk arritën ta fitonin Champions-in”.
Sa i përket ndjesisë për faktin që Ancelotti është bërë trajner i kombëtares braziliane, Ronaldo tha: “Kam kuriozitet dhe pritshmëri. Ndoshta trajneri më i mirë në botë është ulur në pankinën e kombëtares më të madhe në botë.
Ndoshta në kohët e mia do të kishte qenë e pamundur të shihje një të huaj në pankinën e Brazilit, por kohët kanë ndryshuar, futbolli është bërë edhe më global. Pastaj Ancelotti nuk është një i huaj dosido… I uroj më të mirën, e ka kuptuar tashmë sa shumë do ta duan, por duhet t’i jepet koha e duhur për të menaxhuar një realitet të ri. Qëllimi është Kupa e Botës 2026”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






