

Rikthimi i Neymar te Santosi, mes entuziazmit dhe pasigurive, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Gjatë pushimit të ndeshjes miqësore kundër Red Bull Leipzig, ku ai ishte titullar, por nuk la shumë gjurmë, ylli brazilian pranoi hapur se ende nuk ka vendosur nëse do ta rinovojë kontratën me klubin nga São Paulo, e cila skadon më 30 qershor.
“Ende nuk e di, – tha ai me një buzëqeshje dhe ton të qetë. – Do t’iu përgjigjem të gjitha këtyre pyetjeve vetëm pas ndeshjes së 12 qershorit. Deri atëherë nuk do të flas më për këtë. E kam thënë tashmë; ende po mendohem. Nëse ma bëni pyetjen sërish pas tri ditësh, përgjigjja do të jetë e njëjtë. Vendimin do ta marr vetëm pas 12 qershorit”.
Pas rikuperimit nga një tjetër dëmtim, Neymar ka luajtur dy ndeshje me Santosin. Në të parën, Santosi u eliminua nga Kupa e Brazilit prej skuadrës modeste CRB. Në të dytën arriti fitore në kampionat ndaj Vitoria, por nuk mjafton për ta larguar klubin nga zona e rënies nga kategoria.
Para pauzës për Kupën e Botës për Klube, Neymar do të ketë edhe dy ndeshje të tjera me Santosin; kundër Botafogo dhe Fortaleza. Vetëm pas këtyre angazhimeve, 33-vjeçari do të vendosë nëse do ta vazhdojë apo jo aventurën me fanellën që e lançoi në skenën ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






