

Marcus Thuram, sulmuesi i Interit, ka folur për televizionin francez M6: “E dimë që kemi bërë dy ndeshje të mëdha kundër Barcelonës, një prej skuadrave më të mira në Europë, të cilat janë parë në mbarë botën. Kalimi me sukses i Bayern Munich dhe Barcelonës na jep me siguri besim, por nuk ndihemi të pathyeshëm. Synojmë të fitojmë siç bëmë ndaj Barcelonës, kemi fituar besim”.
Kur mbërrite tek Interi, skuadra zikaltër vinte nga finalja e Stambollit. A ndieje dëshirë për hakmarrje në dhomën e zhveshjes?
Nuk besoj, janë dy finale krejtësisht të ndryshme. Kjo është një rrugë e re, me një skuadër të re dhe lojtarë të rinj. Mendoj se kjo finale duhet përballuar me shumë vendosmëri, por edhe qetësi.
PSG është një skuadër që e zotëron shumë topin, si Barcelona. A pret një ndeshje të ngjashme?
Nuk e di nëse do jetë një ndeshje e ngjashme. Sigurisht, PSG pëlqen të luajë me topin, është skuadër shumë e fortë taktikisht, me trajner të madh dhe lojtarë të shkëlqyer. Do të jetë një ndeshje e komplikuar.
Me Lautaro Martinez ke krijuar një dyshe sulmuese të jashtëzakonshme. A ndihesh në kulmin e karrierës?
Nuk e di nëse jam në kulmin e karrierës, nuk mund ta parashikoj të ardhmen. Me siguri kam kaluar një sezon të mirë; skuadra dhe Lautaro më ndihmojnë shumë dhe luajnë mirë. Jam i lumtur dhe krenar për këtë skuadër.
Ke filluar si anësor dhe tani je një qendërsulmues, njësoj si Ousmane Dembélé. A të ka habitur përshtatja e tij kaq e shpejtë në rolin e ri?
Jo, sepse Ousmane është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Mund të bëjë diferencën në çdo prekje të topit. Këtë vit është spostuar në qendër të sulmit dhe kemi parë çfarë paraqitjesh ka bërë për skuadrën e tij.
A do të ndihej krenare familja, nëse fiton trofeun e vetëm që babai yt nuk e ka fituar dot?
Kemi pasur dy karriera të ndryshme. E vetmja gjë që di është se babai do të jetë tifozi im i parë të shtunën.
Të luash kundër një skuadre franceze është diçka e veçantë apo një ndeshje si gjithë të tjerat?
Sigurisht që është diçka e veçantë, sepse është një skuadër që e kam përballur në kampionatin francez. Sidoqoftë, nuk ka rëndësi kundërshtari, sepse është finale e Ligës së Kampionëve.
PSG të ka kërkuar më parë, e mban mend?
Jo, nuk e mbaj mend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






