

Në prag të finales së madhe të Ligës së Kampionëve mes Interit dhe PSG-së ka folur Benjamin Pavard. Francezi i zikaltërve është ndalur tek emocionet, motivimi personal dhe forca e grupit të të tijve. Ai nuk e fsheh respektin për kundërshtarin, ndërsa thekson se Interi është skuadër pa yje, por me unitet të hekurt. Rikthimi në Mynih për të është simbolik, por këtë herë dëshiron të largohet si fitues me fanellën e Interit. Premtimi ndaj vetes për një tjetër finale është gati të përmbushet.
Në finale do të luani ndaj një skuadre nga vendi juaj…
Jam i lumtur që një skuadër franceze ka arritur në finalen e Ligës së Kampionëve. I uroj fat PSG-së, por tani luaj për Interin dhe do të bëj gjithçka për t’i mposhtur të shtunën.
Ndeshjet kundër Bayernit dhe Barcelonës kaluan me emocione të mëdha. A ka kjo skuadër diçka më shumë në aspektin mendor?
Gjëja e parë që kam vënë re kur mbërrita tek Interi ishte grupi i bashkuar. Kemi kaluar momente pozitive dhe të vështira, por gjithmonë jemi aty për të ndihmuar njëri-tjetrin. Nuk kemi yje, jemi një skuadër e plotë, që di të vuajë bashkarisht. Kjo është forca jonë.
Ju e keni mposhtur PSG-në në një finale Champions-i më 2020. E imagjinoj që këtë herë keni edhe më shumë dëshirë për ta luajtur këtë finale…
Pas fitores me Bayernin i premtova vetes se do të luaja një tjetër finale Champions-i. Do të jap gjithçka në fushë, pastaj do të jetë trajneri që do të vendosë. Sidoqoftë, unë jam gati. Dua të jap gjithçka për këtë finale dhe ta sjell trofeun në Milano. Është një ëndërr për të gjithë ne, klubi dhe tifozët e meritojnë.
Çfarë mendoni për PSG-në?
Besoj se është një nga skuadrat më të mira në botë, fakti që ndodhet në finale e tregon këtë. Është një skuadër e qëndrueshme dhe e balancuar, ka fituar tashmë dy tituj në Francë. Ka shumë cilësi, përveçse një trajner të madh, që ka treguar shumë si me Barcelonën, ashtu edhe me kombëtaren spanjolle. PSG është një skuadër e madhe. Nuk do jetë e lehtë, por edhe ne jemi skuadër e madhe, ndaj do ta përgatisim ndeshjen siç dimë. Do të luajmë pa presion, duke u bazuar në futbollin tonë.
A ju ka habitur transformimi i Ousmane Dembélé?
Nuk jam befasuar, sepse ai ka talent. Është e vërtetë që këtë sezon ka shënuar më shumë gola se më parë, por po flasim për një lojtar që punon shumë dhe është mjaft inteligjent. Shpresoj të jetë i qetë në finale, por jam i lumtur që do ta takoj sërish, edhe pse këtë herë do të jemi kundërshtarë.
Riktheheni në Mynih, ku keni luajtur shumë vite dhe jeni larguar si fitues. A jeni pak supersticioz?
Jo, jo… Është e vërtetë që kam kujtime të shkëlqyera nga eksperienca me Bayernin, ku fitova shumë trofe. Stadiumi është i mrekullueshëm, por tani jam tek Interi dhe do bëj gjithçka për të fituar aty, me zikaltërit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






