

Tiranë – Finalizohet operacioni “Puzzle”, goditet trafiku i armëve nga Kosova në Shqipëri, 12 të identifikuar, 10 të arrestuar
Tiranë – Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe autoritetet kosovare, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Puzzle”, që kishte në fokus goditjen dhe parandalimin e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Forca Operacionale e DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u përmbyll pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive.
Gjatë operacionit u sekuestruan 14 armë zjarri, përkatësisht 12 pistoleta (njëra prej tyre me silenciator) dhe 2 automatikë, si dhe municion luftarak, krehra, 2077 fara cannabisi, 3 automjete dhe 8 telefona celularë.
Në total, janë identifikuar 12 shtetas të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të armëve. Deri më tani, 10 prej tyre janë vënë në pranga:
Të arrestuarit në vijim të operacionit janë:
Emirel Tusha, 32 vjeç
Leandro Haxhiaj, 21 vjeç
Fabricio Berberi, 26 vjeç
Rikardo Hajdaraj, 21 vjeç
Visar Murati, 23 vjeç
Kevin Farruku, 18 vjeç
Geraldo Muraj, 22 vjeç
Adriano Shehu, 23 vjeç
Ndërsa më datë 1 prill 2025, janë ndaluar:
Altin Pajaziti
Kadri Prushi
Të dy janë kapur në flagrancë me dy armë zjarri të dyshuara si të trafikuara nga Kosova për shitje në Tiranë.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim:
Rigers Kamberi, 41 vjeç
Arjan Nela, 24 vjeç
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin armë zjarri në Kosovë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe i sillnin në Tiranë për t’i tregtuar. Gjatë kontrolleve në banesën e Kevin Farrukut, u gjetën dhe sekuestruan edhe 2077 fara cannabisi.
Policia po vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë ka intensifikuar bashkëpunimin me autoritetet policore të Kosovës për të identifikuar dhe arrestuar çdo person të përfshirë në këtë rrjet trafikimi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






