Transmetuar më 30-05-2025, 00:44

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu lidhur me zhvillimet më të fundit të çështjes ndaj tij, pasi është marrë zyrtarisht i pandehur. Meta e cilëson këtë si një hap procedurial të ri dhe jo si ndonjë risi thelbësore në proces.

"Është një zhvillim thjesht procedurial, asgjë më shumë. Akuzat ndaj meje janë hartuar publikisht dhe zyrtarisht nga Kongresi i ‘Rilindjes’, që në kohën kur isha President i Republikës", u shpreh Meta, duke e cilësuar këtë proces si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.

Ai theksoi se procesi nuk do të ndalet dhe do të çojë përballjen ligjore deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Meta nënvizoi gjithashtu se çdo ditë që i afrohen gjykimit është për të një hap pozitiv, me synimin për të “shpartalluar publikisht fletërrufenë e Edi Ramës”.

Sa i përket ndryshimit të avokatit, Meta sqaroi se përfaqësimi i tij do të vazhdohet nga avokati Kujtim Cakrani.

Ai falënderoi avokatin Genc Gjokutaj për punën e deritanishme, por theksoi se për shkak të përfshirjes së këtij të fundit në “çështjen Berisha”, është e arsyeshme që çështja Meta të ketë përfaqësim të veçantë ligjor.

"Siç dihet, janë dy çështje të mëdha politike që shkojnë drejt gjykimit: ajo e z. Berisha dhe kjo ndaj meje. Të dyja me akuza të formuluara nga Kongresi i ‘Rilindjes’ vite më parë. Është e pamundur që një avokat i vetëm të përballojë të dyja, për shkak të ngarkesës së madhe dhe specifikave të veçanta që secila ka", tha Meta.

Ai shprehu bindjen se avokati Cakrani do ta përfaqësojë me përkushtim dhe transparencë të plotë përpara publikut dhe institucioneve të drejtësisë.

Meta tha se jetojmë në një shtet të kapur në çdo qelizë, ndaj dhe çdo përballje e tillë ligjore kërkon përgatitje serioze dhe mbrojtje të dedikuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit