

Tarifat doganore të Trump janë të paligjshme. Jo të gjitha, por pothuajse. Ende nuk jemi në fund të strategjisë së tarifave, sepse Gjykata e Apelit tashmë ka pezulluar vendimin që i rrëzon ato.
Por goditja që gjyqtarët i kanë dhënë kreut të Shtëpisë së Bardhë është e fortë, sepse e detyron në një betejë gjyqësore me përfundim të pasigurt, me të gjitha pasojat që kjo sjell mbi negociatat në vazhdim me vendet e prekura, duke filluar nga BE-ja. Për këtë arsye tregjet ‘festojnë’ me kujdes ndalimin, që shton kaos mbi kaos.
Të mërkurën, Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare e SHBA në New York ka bllokuar planin e presidentit për të vendosur tarifa të rënda mbi importet nga pothuajse të gjitha vendet e botës. Një trupë prej tre gjyqtarësh – Timothy Reif, i emëruar nga vetë Trump, Gary Katzmann nga Obama dhe Jane Restani nga Reagan – vendosi se ai kishte “abuzuar me autoritetin e tij” kur përdori Ligjin për Fuqitë Ekonomike në Emergjenca Ndërkombëtare (IEEPA) të vitit 1977 për të shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare dhe për të justifikuar tarifat. Pak më pas, edhe një gjykatë e dytë, Gjykata e Qarkut të Distriktit të Kolumbisë, dha një vendim të ngjashëm përmes gjyqtarit Rudolph Contreras.
Tarifat në SHBA, beteja në gjykata
Shtëpia e Bardhë reagoi duke thënë se "disa gjyqtarë të pa zgjedhur nuk mund të vendosin për emergjencat kombëtare", dhe këshilltari Miller e denoncoi këtë si një “grusht shteti” nga gjykatat. Ai kërkoi nga gjykata në New York të bllokojë vendimin, i cili i jep qeverisë dhjetë ditë kohë për të ndalur mbledhjen e tarifave. Teoria e tij është se kështu gjyqtarët po prishin negociatat në zhvillim me vendet e goditura. Prandaj ka bërë apel dhe mbrëmjen e djeshme, Gjykata e Apelit në Washington ka “pezulluar përkohësisht” vendimin, duke lënë tarifat në fuqi ndërkohë që shqyrton çështjen, e cila mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë.
Tarifat kanë përmbysur dekada të tëra të politikës tregtare amerikane, kanë tronditur tregjet financiare, kanë rritur rrezikun e inflacionit dhe recesionit në SHBA dhe në botë, për të marrë lëshime që mbeten ende të paqarta. Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare ka juridiksion mbi çështjet civile që lidhen me tregtinë dhe ka vendosur që presidenti ka tejkaluar kompetencat e veta sepse këto vendime i takojnë Kongresit.
Vendimi i gjykatës për tarifat
Tarifat janë kontestuar në të paktën shtatë procese gjyqësore, përfshirë atë të paraqitur nga Victor Schwartz, pronar i Vos Selections në New York, që importon verëra italiane. Përballë rrezikut të falimentimit për shkak të rritjes së çmimeve, ai iu drejtua gjykatës. Në vendim, gjykata bashkoi dy çështje: një të paraqitur nga pesë ndërmarrje të vogla dhe një tjetër nga 12 shtete. Vendimi konteston përdorimin e IEEPA dhe kështu bllokon tarifat e vendosura nga Trump më 2 prill kundër pothuajse të gjithë partnerëve tregtarë të SHBA-së, dhe ato të vendosura më parë ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë. Ndërkohë, tarifat mbi çelikun, aluminin dhe makinat mbeten në fuqi, sepse bazohen në një ligj tjetër.
Shtëpia e Bardhë ka bërë apel dhe drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, është shprehur i sigurt se do të fitojnë. Për këshilltarin Peter Navarro, arkitekti i tarifave, “asgjë nuk ka ndryshuar: do t’i vendosim ato edhe nëse humbasim”.
Çfarë mund të bëjë Trump pas vendimit
Në pritje të vendimeve të gjyqtarëve, administrata mund të përdorë disa rrugë për të mbajtur tarifat në fuqi. Sipas analistëve të Goldman Sachs, të cituar nga Wall Street Journal, presidenti mund të vendosë tarifa deri në 15% për 150 ditë, për të balancuar deficitin në bilancin e pagesave, bazuar në Nenin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974. Pas kësaj, Kongresi do të duhet të ndërhyjë për të zgjatur masat. Opsioni i dytë do të ishte Neni 301 i të njëjtit akt, që lejon vendosjen e tarifave të pakufizuara, por vetëm pas një hetimi që do të kërkonte muaj. Tarifat e vendosura sipas Nenit 232 të Aktit për Zgjerimin e Tregtisë të vitit 1962, si ato për çelikun, aluminin dhe makinat, mund të zgjerohet në sektorë të tjerë, si ai farmaceutik. Së fundi, sipas Nenit 338 të Aktit të Tregtisë të vitit 1930, Trump mund të vendosë tarifa deri në 50% ndaj vendeve që diskriminojnë SHBA-në në tregti, pa pasur nevojë për hetim për t’i justifikuar.
Presidenti nuk ka aspak ndërmend të heqë dorë dhe dje u takua me kreun e Rezervës Federale, Powell, për të diskutuar perspektivat ekonomike, përballë rënies së PBB-së me 0.2%. Prej kohësh ka kërkuar uljen e normave të interesit. Megjithatë, e gjithë strategjia e tarifave rrezikon të hidhet poshtë. Gjyqtarët po konfirmojnë se janë mbrojtësit kryesorë të shtetit ligjor, në pritje që opozita demokrate të zgjohet, pa pritur vetëm zgjedhjet e mesmandatit.Dy gjyqtarë i konsiderojnë masat reciproke tarifore të paligjshme. Apeli ngrin dënimet për momentin, tregjet janë të çorientuara./La Repubblica
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






