

TIRANË- Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku ka rrëfyër historinë e saj që nga hapat e parë në muzikë e deri te largimi jashtë vendit. Simaku në një intervistë për “Opinion” mes emocionesh tregoi se duetin e parë ia dhanë në vitin 1981. Ajo theksoi se këtë duet e pati me Hysni Zelën.
Simaku theksoi se publiku nuk e njihte. Ajo tregoi e dhe sfidat e një artisteje të re për tu veshur bukur për të performuar. Këngëtarja zbuloi disa emra të cilët e ndihmuan me garderobën.
“Në fillim të dhjetorit 1981, më japin një duet me Hysni Zelën. Një javë para na vjen urdhri që nuk do bëhej festivali se Mehmet Shehu vrau veten. Ishte një dramë e madhe, se ne në Kavajë nuk ishim politikanë. Ne vetëm Allahun njohim, kështu jam rritur. Dola, për fat të keq ose për fat të mirë, unë duhet të dubloja Irma Libohovën. Edhe publiku ishte pak i zymtë, me frikë. E duartrokitën këngën e Krajkës, ai ishte gjithmonë modern. Dola e dyta unë, këndova dhe më kthyen dy herë të përshëndetesha.
S’më njihnin fare! Xhaxhi Xhemali, byrazer i babës tim, nusja e tij Antigoneja nga Gjirokastra. Ajo ishte martuar me një fustan me lule dhe më dha fustanin e saj. Këpucët, më kanë çuar te garderoba e Operës e Baletit dhe kam veshur me gazeta këpucët llustrafinë të Edit Mihalit. Po ecja aty para se të më dilte emri. Vjen Alida Hysku e më tha hë mi mos ki frikë se shumë mirë do dalësh. Unë po dridhesha, në atë kohë edhe Vaçe Zela dridhej, më tregonte Krajka. Irma e pyet Agim Krajkën, i thotë pse s’më the se ajo është këngëtare shumë mirë.”
Publiku shqiptar u trondit dhjetorin e 2024 me mënyrën si Parashqevi Simaku “u rishfaq”. Ajo ishte e pastrehë, që jetonte me ndihma vullnetare në rrugët e News York. Pas disa peripecish, por edhe momenteve të shumëpritura për të, siç ishte takimi me djalin, ajo sot duket e qetë dhe në paqe me veten.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






