

Librazhd, 29 maj 2025 – Një rast i rëndë i keqtrajtimit të kafshëve është zbuluar nga Policia në Librazhd, ku një 32-vjeçar është proceduar penalisht pasi promovoi një përleshje mes një qeni dhe një maceje në rrjetet sociale.
Shtetasi A. Gj., 32 vjeç, është identifikuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd si autori i publikimit të pamjeve ku shfaqej një përballje e organizuar mes dy kafshëve shtëpiake. Videot ishin shpërndarë në rrjete sociale me qëllim tërheqjen e vëmendjes dhe angazhimin e ndjekësve, por kanë shkaktuar reagime të forta nga qytetarët dhe aktivistët për të drejtat e kafshëve.
Policia e cilëson ngjarjen si një formë të qartë të dhunës ndaj kafshëve dhe thekson se një sjellje e tillë është e papranueshme dhe dënohet sipas Kodit Penal. Materialet procedurale ndaj 32-vjeçarit janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






