Transmetuar më 29-05-2025, 11:46

Interi zgjedh të verdhën. Zikaltërit do të zbresin në fushë, në Mynih, për finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, me fanellën e tretë, atë të verdhë. Një zgjedhje e bërë nga vetë lojtarët e Interit, duke marrë parasysh rregulloren, precedentët dhe… pak supersticion.

🔵 Pse fanella e tretë?

Interi do ta luajë finalen si skuadër “mysafire”. PSG-ja është zyrtarisht “në shtëpi” dhe për këtë arsye do të veshë fanellën e parë, atë klasiken, blu me vijën e bardhë dhe të kuqe në qendër. Zikaltërve iu mbetej të zgjidhnin mes fanellës së dytë (e bardhë) dhe të tretë (e verdhë). Zgjedhja e lojtarëve ra mbi këtë të fundit, e frymëzuar nga dizajni dhe arkitektura milaneze, si dhe nga artistët e qytetit që kanë qenë “kundër rrymës”. Një zgjedhje me simbolikë, por edhe me pak supersticion.

🍀 Elementi i supersticionit

Një nga arsyet kryesore të zgjedhjes ishte edhe supersticioni. E vetmja humbje e Interit në këtë fushatë europiane ndodhi kundër Bayer Leverkusen, me fanellën e bardhë. Me fanellën e verdhë, bilanci është: 7 fitore, 1 barazim, 1 humbje. Përfshirë këtu dy fitore në Champions League: Në fushën e Sparta Pragës, në fazën e grupeve, dhe në Roterdam ndaj Feyenoord, në 1/8 finale.

Për më tepër, portieri Sommer do të mund të veshë kompletin portokalli, të njëjtin që kishte veshur kur ndali Lamine Yamal në gjysmëfinalen e “San Siros”.

📜 Precedenti historik

Vetëm një herë më parë Interi ka veshur fanellën e tretë në një finale europiane. Fjala është për finalen e Kupës UEFA 1997/98 kundër Lazios. Në atë ndeshje, me fanellën gri me vija horizontale të zeza, Ronaldo “Fenomeni” ngriti trofeun në Paris, në… shtëpinë e PSG-së. Një precedent që, për shumë tifozë, mund të jetë shenjë e mirë për mbrëmjen historike bavareze që e pret Interin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit