

Fabio Capello, një nga emrat më të spikatur në historinë e trajningut italian, nuk e fsheh simpatinë dhe afërsinë që ndien ndaj Simone Inzaghit dhe rrugëtimit të tij drejt finales së Champions League. Ish-trajneri i Milanit gjen shumë paralele mes përvojës së vet dhe asaj që po përjeton tekniku aktual i Interit.
“Te Simone shoh veten time, – pohon Capello me sinqeritet. – Edhe unë, me Milanin tim, arrita ta fitoja Champions-in në tentativën e dytë. Për ata që nuk e kujtojnë: para 4-0 kundër Barcelonës në Athinë, më 1994, patëm humbur 1-0 në finalen e Monakos kundër Marsejës, në vitin 1993.
Të kthehesh në finale Champions-i pas një humbjeje të tillë e ndihmon trajnerin dhe gjithë ekipin, sepse arrin me më shumë përvojë dhe përgatitje. E kupton më mirë çfarë do të thotë të luash një finale të tillë".
Pikërisht mbi këtë përvojë bazohet edhe këshilla që Capello jep për trajnerin zikaltër: "Kam një këshillë për Simone. Këto ditë le t’iu përkushtohet në mënyrë të veçantë atyre 11 lojtarëve që do të zbresin në fushë kundër PSG-së. Të gjithë, sidomos titullarët, duhet të dinë saktësisht ku mund ta dëmtojnë kundërshtarin dhe të jenë të përgatitur për momentet e vështira. Është e domosdoshme që secili të njohë në perfeksion detyrat e veta taktike, ky është aspekti vendimtar".
Për ta forcuar më tej pikëpamjen e tij, Capello kujton sesi e përgatiti finalen e famshme të Athinës: "Kështu e përgatita edhe finalen time të dytë me Milanin, kur mungesat e Baresi dhe Costacurta e kishin kthyer mbrojtjen në një rebus. Pas një prove të dështuar me Desailly në qendër, praktikuar në miqësoren kundër Fiorentinës, vendosa të zhvendosja Maldinin në qendër, pranë Filippo Galli, me Tassotti dhe Panucci në krahë. Punova gjithë javën me këtë formacion. Dhe suksesi i Athinës nisi pikërisht nga këto zgjedhje".
Megjithatë, Capello thekson edhe dallimet mes epokës së tij dhe kohës së Inzaghit: "Ka ndryshime mes eksperiencës sime dhe asaj që po përjeton Inzaghi. Për shembull, koha. Milani im, pasi humbi me Marsejën, pati mundësinë të hakmerrej menjëherë nw një finale të dytë radhazi. Kaloi nga të qenit favorit ndaj Marsejës te të qenit ‘outsider’ kundër Barcelonës.
Inzaghi, përkundrazi, ka pasur dy vite kohë mes humbjes në Stamboll dhe finales së Mynihut. Kjo është ndihmë, sepse ai dhe skuadra janë pjekur, e dinë çfarë i pret. Kuptohet, presioni do të jetë më i madh. Më 2023 ishte Manchester City që duhej të fitonte me çdo kusht, këtë vit Interi dhe PSG nisen në kushte të barabarta. Dhe pas zhgënjimit të Stambollit, tifozët zikaltër presin të festojnë".
Në finalet e mëdha, psikologjia luan një rol vendimtar, Capello e di mirë: "Këtë herë, Inzaghi ka mjete më moderne dhe eksperiencë për ta përballuar gjithçka. Finalja e parë është e vështirë, por e dyta të jep përparësi. E njeh presionin dhe di si ta menaxhosh gjendjen mendore të lojtarëve.
Ai duhet të ruajë balancën mes qetësisë dhe tensionit. Dëshira për revansh mund të jetë një armë, por duhet menaxhuar me kujdes. Sepse aspekti psikologjik është thelbësor dhe mund të bëjë diferencën në një finale Champions-i".
Dhe si për ta mbyllur me një episod domethënës të karrierës së tij, Capello ndan një anekdotë picante, që flet shumë për motivimin: "Në vitin 1994, ndihmësit e mi më treguan se Cruijff, gjatë stërvitjes së Barcelonës, ishte shtrirë në fushë me topin nën kokë si jastëk. Kur fola me skuadrën, i thashë: E dini çfarë? Le t’i japim një të shtyrë atij topi, ta bëjmë të godasë kokën për tokë atë dhe gjithë Barçën".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






