

Gianluigi Buffon, shefi i delegacionit të kombëtares italiane dhe ish-portieri i njohur i Juventusit, foli për mediat në kuadër të prezantimit të “Golden Boy Football Benchmark Index” në Solomeo. Sigurisht, u ndal edhe te Juventusi, klubi i tij i zemrës: "Nuk e kam idenë për zhvillimet atje, sepse nuk jam më brenda klubit. Duke mos qenë aty nuk mund të kuptoj se çfarë ndodh dhe çfarë perceptohet. Duke pasur gjithmonë një ide dhe perceptim për Juventusin nga ajo që kanë qenë 20 vitet e mia, nuk mund ta di".
Çfarë i mungon Juventusit?
Nuk e kam idenë, këtu është Giorgio (Chiellini), besoj se ai ka sigurisht më shumë qartësi se unë për këtë. Mund t’i thotë gjërat në mënyrë më të saktë dhe të drejtë.
A e ka Chiellini përgatitjen dhe personalitetin për këtë Juventus?
Mendoj se ai ka përgatitjen dhe personalitetin për të kryer çdo rol te Juventusi, për ta mbajtur çdo detyrë nga ana drejtuese.
Kë do të mbështesësh në finale të Champions League?
Këto janë pyetje të ndërlikuara, të cilat më bezdis që m’i bëni. Në përgjithësi mbështes atë që meriton të fitojë. Nëse fiton një skuadër italiane, duke marrë parasysh edhe atë që përfaqësoj, është shumë mirë. Edhe kur luaja, rrallë bëja tifo kundër të tjerëve, është diçka që më bezdis shumë dhe e konsideroj veprim të padenjë. Ky është mesazhi që ju jap sot.
Të paktën një kampion Europe me Donnarumma dhe interistët do të jetë në përfaqësuesen italiane. A mund të ndikojë lodhja nga finalja e Champions League?
Emocionalisht dhe fizikisht lë diçka në rrugë, por të jesh kampion me një histori të tillë do të thotë të kesh mendjen e duhur për t’i kapërcyer këto vështirësi.
Cilin duhet të marrë Juventusi për trajner?
Këtë pyetje po ia bëni personit të gabuar. Këtu ishte Chiellini dhe mendoj se asnjë nuk e di më mirë se ai. Gjërat duhet të njihen nga brenda dhe thellësisht. Krahasimet e vazhdueshme me Juventusin tim dhe atë që ka qenë për 20 vite mund të jenë kundërproduktive. Nuk kam ide se çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë jo, ndaj si mund ta këshilloja. Kam qenë vetëm spektator, por në fund pashë një ekip që ka arritur objektivin minimal, i cili deri në një pikë nuk dukej i sigurt. Përveç humbjes së vogël ndaj Parmës, pashë një skuadër që të paktën kishte një bindje të përbashkët për t’i përballuar sfidat.
A mund të krahasohet ky sezon i Juventusit me atë para aventurës së parë të Contes? A mund të jetë ai, trajneri i duhur?
Ndryshe nga shumë prej jush, nuk isha aq i bindur se ai do të linte patjetër Napolin. Antonio është një njeri me inteligjencë dhe instinkt të jashtëzakonshëm, që e bën të kuptojë menjëherë nëse vendi ku ndodhet i ofron mundësi për fitore në të ardhmen apo konkurencë. Fakti që ai ende nuk ka deklaruar asgjë, konfirmon atë që mendoja. Ai është një trajner i madh dhe profili i përsosur për situatat që po kalojnë disa skuadra, kështu thotë historia e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






