

Berlin, 29 maj 2025 – Rusia i ka propozuar Ukrainës që raundi i ardhshëm i bisedimeve për paqe të mbahet më 2 qershor në Stamboll. Këtë e konfirmoi ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke njoftuar se delegacioni rus është i gatshëm të paraqesë një “memorandum” për zgjidhjen e konfliktit.
Nga ana tjetër, Ukraina është shprehur e hapur për rifillimin e dialogut, por kërkon që Moska të paraqesë më herët kushtet e saj për paqe. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, i cili kryeson delegacionin ukrainas në bisedime, theksoi në rrjetin social X se “pala ruse ka të paktën katër ditë kohë për të dorëzuar dokumentin për shqyrtim”.
Në të njëjtën kohë, kancelari gjerman Friedrich Merz, pas një takimi në Berlin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mbështetet plotësisht nga Evropa dhe është gati për bisedime teknike, pavarësisht vendit të zhvillimit të tyre. “Askush nuk e dëshiron paqen më shumë se vetë Ukraina”, u shpreh Merz, duke kritikuar vonesat e Rusisë për mosdorëzimin e memorandumit, të premtuar prej një jave.
Për momentin mbetet e paqartë nëse takimi i 2 qershorit do të realizohet, nëse Rusia nuk paraqet dokumentin e saj përpara kësaj date.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






