

Prishtinë, 29 maj 2025 – Përfaqësues të bizneseve në Kosovë protestuan të enjten kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke bllokuar disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës dhe duke kërkuar shtyrjen e masës për të paktën një vit.
Protestuesit u mblodhën në pika strategjike si Veterniku, rrethi i flamurit, qendra Dukagjini, rruga drejt Mitrovicës dhe ajo nga Podujeva te Sharbani (Vranjevci), për të shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor. Sipas tyre, bizneset nuk janë përgatitur për këtë ndryshim dhe liberalizimi mund të shkaktojë rritje të çmimeve dhe destabilizim të veprimtarisë së tyre.
Sipas vendimit të marrë nga rregullatori i energjisë, të gjitha kompanitë me mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më me energji me tarifa të rregulluara, por duhet të zgjedhin vetë furnizuesit në tregun e lirë. Nëse nuk e bëjnë këtë, do të kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara. Ky ndryshim prek rreth 1.000 kompani që përbëjnë 37% të konsumit total të energjisë në vend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi ndaj protestave duke kritikuar Odën Ekonomike të Kosovës për mungesë përgatitjeje dhe për faktin që kërkon një tjetër shtyrje pas tetë vitesh zvarritje. Ai deklaroi se shtyrja nuk do të zgjidhte problemin, por vetëm do të transferonte koston e energjisë tek konsumatorët e zakonshëm.
“Oda Ekonomike e Kosovës që duhej të përgatiste bizneset, sot kërkon shtyrje për t’u përgatitur edhe një vit tjetër. Nuk është zgjidhje, por transferim i barrës te qytetarët,” deklaroi Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë.
Ai shtoi se protestat përfaqësojnë interesat e 1 përqind të ndërmarrjeve më të mëdha në kurriz të pjesës tjetër të ekonomisë dhe qytetarëve, duke theksuar se “koha e barrikadave ka kaluar”.
Protesta pritet të vazhdojë edhe ditëve në vijim nëse kërkesat e bizneseve nuk merren në konsideratë nga autoritetet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






