

Fushë-Krujë– Një shpërthim është dëgjuar pak minuta më parë pranë burgut të Fushë-Krujës, duke shkaktuar shqetësim në zonë.
Pak pas sinjalizimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje për të verifikuar rrethanat e incidentit.
Burime paraprake bëjnë me dije se shpërthimi mund të ketë ardhur nga një gjenerator që dyshohet se ka marrë flakë, duke çuar në shpërthimin e depozitës së karburantit.
Në vendngjarje ndodhen edhe oficerë të Policisë së Tiranës, të cilët po bashkëpunojnë me autoritetet vendore për zbardhjen e plotë të situatës.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, por në zonë ka një prani të shtuar të efektivëve të sigurisë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e shpërthimit dhe nëse ka pasur ndonjë rrezik për personelin apo të dënuarit në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Në një informacion paraprak për media u tha se rreth orës 22:45, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të DVP Tiranë, se është dëgjuar një shpërthim brenda perimetrit të IEVP Fushë-Krujë.
Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e llojit të shpërthimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






