

Tiranë, 28 maj 2025 – Qeveria shqiptare ka miratuar sot vendimin për rijetëzimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, i cili do të rindërtohet me një kullë shumëkatëshe si pjesë e projektit të ri investues. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave dhe përcakton një bashkëpunim mes shtetit dhe sektorit privat për zhvillimin e kësaj pasurie në një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit.
Në vendimin zyrtar thuhet se është autorizuar Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) për të vepruar si zhvillues i pronës shtetërore dhe për të negociuar me partnerët privatë lidhur me ndërtimin e ri të Pallatit të Lojërave me Dorë “Asllan Rusi”.
Për realizimin e projektit është parashikuar zhvillimi i një procedure konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat. Ndërkohë, KISH do të ndihmohet nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për hartimin e kritereve të dizajnit arkitekturor dhe vlerësimin e projektideve.
Projekti i rijetëzimit përfshin gjithashtu mundësinë e prishjes së objekteve ekzistuese në këtë zonë për t’i hapur rrugë zhvillimit të ri, i cili do të pasohet me regjistrimin e pronës së re në emër të Republikës së Shqipërisë, Bashkisë Tiranë apo institucioneve përkatëse sportive.
Ky zhvillim i fundit vjen në vazhdën e projekteve të ngjashme që kanë përfshirë investime të mëdha publike në bashkëpunim me sektorin privat në Tiranë, ku ndërtimi i kullave shumëkatëshe pranë objekteve sportive po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






