Transmetuar më 28-05-2025, 22:30

TIRANË- Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ-së për certifikimin e rezultatin edhe në qarqet Durrës dhe Lezhë. PD kërkon pavlefshmëri të gjithë rezultatit zgjedhor. Gjithashtu kërkon përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore të këtij qarku. Më parë PD ka ankimuar edhe rezultatet e zgjedhjeve në Kukës, Korçë dhe Berat.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS do të zhvillojë nesër më 29 maj seancë publike për shqyrtimin e tre kërkesave ankimore të depozituara nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Këto ankesa lidhen me kundërshtimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultatit në qarqet Berat, Gjirokastër dhe Vlorë, për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025.

Seanca do të nise në orën 10:00 ku KAS do të shqyrtojë kërkesën ankimore nr. 38, ku kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve në qarkun Berat dhe përsëritja e tyre. Në orën 12:30, do të trajtohet kërkesa ankimore nr. 40, që ka të njëjtin objekt kundërshtimi për vendimin e KQZ-së Nr. 1318 mbi rezultatin e votimeve në qarkun Gjirokastër.

Ndërsa orën 15:00, KAS do të shqyrtojë kërkesën ankimore nr. 39, për zgjedhjet në qarkun Vlorë. KAS pritet të shqyrtojë pretendimet e paraqitura nga PD për parregullësitë dhe të marrë një vendim mbi ligjshmërinë e procesit zgjedhor në zonat përkatëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit