

Raundi i dytë i negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës pritet të zhvillohet më 2 qershor në Stamboll, sipas asaj që bëri të ditur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, citon noa.al.
Sipas deklaratës së tij zyrtare, Rusia i ka propozuar Ukrainës që bisedimet e ardhshme për paqe të zhvillohen në këtë datë, në të njëjtin qytet ku u mbajt edhe raundi i mëparshëm i takimeve mes dy palëve.
“Pala ruse, siç ishte rënë dakord, përgatiti menjëherë një memorandum përkatës, i cili përshkruan pozicionin tonë mbi të gjitha aspektet e tejkalimit të qëndrueshëm të shkaqeve të thella të krizës”, u shpreh Lavrov.
Ai shtoi se delegacioni rus, i kryesuar nga Vladimir Medinski, do të jetë i gatshëm t’ia paraqesë memorandumin palës ukrainase dhe të ofrojë sqarimet e nevojshme gjatë raundit të dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta që do të zhvillohen të hënën e ardhshme në Stamboll.
Nga ana tjetër, Medinski, kreu i delegacionit rus, deklaroi se ka dërguar propozime me datën dhe vendin e saktë për shkëmbimin e memorandumeve ose të kushteve për ndërprerjen e luftimeve dhe tani pret përgjigje nga pala ukrainase. Ai konfirmoi përmes platformës Telegram se Rusia është e gatshme për një takim ballë për ballë me delegacionin ukrainas në ditët në vijim.
Kontakt telefonik mes ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës dhe përfaqësuesit rus
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, ka zhvilluar së fundmi një bisedë telefonike me kreun e delegacionit rus, Vladimir Medinski, për të diskutuar rreth memorandumit që po përgatitet nga Moska dhe që përmban propozimet e saj për një marrëveshje paqeje.
Umerov udhëhoqi delegacionin ukrainas në bisedimet e mbajtura më 16 maj në Stamboll – takimi i parë zyrtar mes dy vendeve që nga pranvera e vitit 2022. Nga pala ruse, takimet u drejtuan nga Medinski.
Presidenti Zelensky theksoi se pas këtyre bisedimeve, Ukraina kontaktoi me palën ruse pasi kjo e fundit kishte premtuar se do të dorëzonte një memorandum konkret.
“Pala jonë ishte në kontakt me rusët. Ministri i Mbrojtjes foli në telefon me Medinskin. Ata thanë se do ta dërgonin dokumentin. Por nuk e morëm kurrë,” deklaroi Zelensky, duke shtuar se as Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë ndonjë dokument nga pala ruse.
Negociatat mbeten të pasigurta, ndërsa pritet nëse raundi i dytë në Stamboll do të realizohet sipas planit më 2 qershor dhe nëse do të ketë ndonjë zhvillim konkret drejt paqes mes dy vendeve. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






