

SHBA- Presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se Kanadaja dëshiron shumë të jetë pjesë e Sistemit të mrekullueshëm të Kupolës së Artë, i cili do të kushtonte rreth 175 miliardë dollarë dhe do të ndërtohej gjatë tre viteve të ardhshme.
Përmes një postimi në Truth Social Trump shpjegonte se zyrtarët kanadezë po shqyrtonin propozimin e tij që Kanadaja të kontribuonte me 61 miliardë dollarë për mburojën e tij të mbrojtjes nga raketat “Kupola e Artë”, ose të mos paguante asgjë nëse do të bëhej shteti i 51-të i SHBA-së.
Trump, i cili ka kërcënuar vazhdimisht sovranitetin kanadez, i bëri komentet menjëherë pasi kryeministri kanadez Mark Carney përshkroi planet për lidhje më të ngushta mbrojtëse me Bashkimin Evropian dhe mbasi mbreti Charles III i kishte dhënë disa goditje të holla SHBA-së dhe administratës Trump gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Kanadez më herët të martën.
Trump ka shprehur interes për aneksimin e Kanadasë për muaj të tërë, duke kërcënuar vazhdimisht sovranitetin e fqinjit verior dhe e ka angazhuar kombin aleat në një luftë tarifore. Kryeministri kanadez Carney ia bëri të qartë Trump gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij muaji se Kanadaja nuk ka interes të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.
Përgjigja e Carney-t: Vendi nuk është në shitje
Në zgjedhjet e fundit, Partia Liberale e Mark Carney-t fitoi, duke zëvendësuar Justin Trudeau-n të cilin Trump e quante me përçmim guvernator. Kryeministri i ri, në deklaratat publike dhe në Zyrën Ovale, e bëri të qartë se Kanadaja nuk do të nxirret kurrë në shitje.
"Kupola e Artë" dhe mburoja raketore
Presioni i ri i Trump lidhet me propozimin e Kanadasë për tu bashkuar me planin ambicioz të mburojës raketore të SHBA-së, të ashtuquajturin "Kupola e Artë". Sipas Trump, sistemi do të ofrojë mbrojtje falas për SHBA-në dhe aleatët e saj “të gatshëm”. Kanadaja tashmë merr pjesë në NORAD dhe është në diskutime "të nivelit të lartë" rreth përfshirjes së mundshme në programin e ri.
"Kupola e Artë" synon të mbulojë një gamë të gjerë kërcënimesh nga raketat balistike ndërkontinentale te dronët. Por analistët theksojnë se ka pengesa serioze teknike dhe financiare. Kostoja e saj, sipas ekspertëve, pritet të kalojë shumë 175 miliardë. dollarë që janë raportuar zyrtarisht.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






