

Ish-trajneri i Interit dhe Romës, José Mourinho, aktualisht në krye të Fenerbahçes, ka komentuar situatën e Ruben Amorim te Manchester United, në një intervistë për “Sky Sport”: “Po e mbështesin Ruben, po i japin kohën dhe kushtet për të ecur përpara.
Lexova disa deklarata të tij ku thoshte se ishte i lumtur që kaloi këto 6 muaj te Manchester United. Kur shkova te Porto, më ndodhi e njëjta gjë, pata 6 muaj të vështirë. Kishim vështirësi për t’u kualifikuar në ‘Europa League’, më pas ndodhi ajo që ndodhi”.
Nuk është hera e parë që të dy bashkëkombësit shkëmbejnë respekt dhe vlerësim të ndërsjellë. Në nëntor, Amorim kishte zbuluar, në momentin e mbërritjes së tij te “Djajtë e Kuq”: “Mourinho më dërgoi një mesazh dhe më tha se ky është klub i dashur, klub i madh, me njerëz të mrekullueshëm. Dhe kishte të drejtë, kështu është ende”.
Në disa raste, Amorim ka pranuar se është inspiruar nga Mourinho, si kur deklaroi: “Jam tipi i trajnerit që pëlqen të krijojë lidhje me lojtarët. Mendoj se kështu e menaxhoj më mirë grupin, ndryshe nga një trajner i ftohtë. Edhe në këtë aspekt, Mourinho më ka ndikuar, sepse ai e solli këtë qasje në futboll. Besoj se të gjithë trajnerët kanë mësuar shumë prej tij”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






