Transmetuar më 28-05-2025, 10:58

Tiranë, 28 maj 2025 – Tre ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar me një mesazh zyrtar.

Në deklaratën e publikuar ditën e djeshme, Ambasada amerikane uroi “popullin shqiptar” për zhvillimin e zgjedhjeve dhe theksoi gatishmërinë për të vazhduar “partneritetin e ngushtë me Shqipërinë”. Megjithatë, ndryshe nga mesazhet e mëparshme, nuk pati asnjë referencë për fituesit, liderët politikë apo cilësinë e procesit zgjedhor.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, toni i mesazhit të këtij viti duket më i përmbajtur dhe institucional. Në vitin 2021, Ambasada e SHBA kishte uruar konkretisht kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren, si edhe opozitën e udhëhequr nga Lulzim Basha për fushatën e zhvilluar. Gjithashtu, theksohej rëndësia e ndjekjes penale të çdo shkelësi të ligjit zgjedhor dhe nevoja për të reflektuar mbi gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR për përmirësimin e procesit zgjedhor.

Ndërsa analistët vijojnë të interpretojnë ndryshimin e tonit në dritën e zhvillimeve politike të brendshme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, më poshtë po sjellim të dy mesazhet për krahasim:

Mesazhi i Ambasadës së SHBA – 2021: “Ne urojmë kryeministrin Edi Rama si dhe Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhje. Gjithashtu urojmë kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha që udhëhoqi një fushatë të fortë duke i dhënë zë shumë qytetarëve si dhe duke dhënë shpresë. Më me rëndësi, urojmë qytetarët shqiptarë, që folën qartë. Duke njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, liderët duhet të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e shqiptarëve. Presim të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Ne konstatojmë raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe presim raportin final, që duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe.”

Mesazhi i Ambasadës së SHBA – 2025: “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit