

Në vigjilje të finales së madhe të Ligës së Kampionëve, Ousmane Dembélé nuk është thjesht një lojtar në formën më të mirë të karrierës së tij, por njeri që ndjen peshën dhe bukurinë e këtij momenti historik. Me PSG, ai është vetëm një hap larg kurorës më të lakmuar të futbollit europian, por për ta arritur, duhet të mposhtet Interi i fortë, i organizuar dhe i rrezikshëm.
Në një duel, ku përballë do të ketë mikun e tij Marcus Thuram, Dembélé e sheh këtë sfidë si përplasje mes ëndrrës dhe realitetit, miqësisë dhe garës, shpresës dhe përvojës. Sulmuesi francez flet për rrugëtimin e tij në Champions, ndikimin e Luis Enrique, konkurrencën brenda grupit dhe ndjesitë e një lojtari që e jeton këtë ndeshje jo vetëm si profesionist, por edhe si tifoz i një ëndrre të vjetër. Në Mynih, nuk do ketë më miq, por vetëm një qëllim: fitorja.
Eksoperienca e tij në Ligën e Kampionëve: "Në 10 sezone si profesionist kam luajtur në Champions League 9 herë, kështu që kjo është arritje e jashtëzakonshme. Shpresoj ta vazhdoj kështu deri në fund të karrierës. Është kompeticioni më i rëndësishëm dhe duam ta luajmë gjithmonë. Nuk të bëhet kurrë zakon, sidomos pa e fituar…, por imagjinoj që pastaj dëshiron ta përsërisësh sërish vitin tjetër".
Për kujtimet e para në Champions: "Debutova me Borussia Dortmundin, më kujtohet ndeshja e parë kundër Legia Varshavës. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Pastaj e kam luajtur Ligën e Kampionëve me Barcelonën, ku qëllimi ishte gjithmonë të fitohej. Tani jam te PSG, kam luajtur dy gjysmëfinale dhe këtë vit jam në finale".
Ndikimi i Luis Enrique: "Trajneri erdhi me një ide shumë të qartë. Ka ndryshuar shumë gjëra, përfshirë edhe mentalitetin e lojtarëve. Mundohemi gjithmonë të japim maksimumin, sidomos sepse PSG ka ambicien për ta fituar këtë trofe për herë të parë. Edhe unë kam ndryshuar shumë. Tani luaj ndryshe, kam më shumë liri në fushë, nuk jam i detyruar të qëndroj në qendër si numër 9, përpiqem të krijoj hapësira dhe të sjell kaos në mesfushë".
Për bashkëlojtarët e rinj: "Kvaratskhelia dhe Doué u përshtatën shpejt me stilin e lojës dhe me atë që kërkon trajneri. Na pëlqen shumë të sulmojmë dhe të mbrohemi si grup. Kemi uri për trofe. Kemi mentalitet fituesi dhe mbështesim njëri-tjetrin. Konkurrenca brenda skuadrës është thelbësore që çdo lojtar të japë më të mirën".
Për ndjesitë para finales së Mynihut: "Mendoj se do ketë shumë përqendrim përpara se të hyjmë në fushë, por edhe disa buzëqeshje, sepse këto janë ndeshjet që i kemi ëndërruar qysh kur ishim fëmijë. Të luash një finale të Ligës së Kampionëve është diçka e mrekullueshme, duhet shumë përqendrim dhe krenari".
Për kundërshtarin: "Shpresojmë të fitojmë, por nuk do të jetë e lehtë kundër këtij Interi, i cili është vërtet i fortë. E kam ndjekur gjatë gjithë sezonit Interin, sepse aty luan shoku im, Marcus Thuram. Është një skuadër shumë e vështirë për t’u përballur, por në finale gjithçka mund të ndodhë. Unë dhe Marcus jemi miq, por jo në fushë, jo në një finale".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






