

Tiranë- Evitimi i hatërmbetjeve ishte një prej mesazheve kryesore që Edi Rama kishte për ekipin socialist, sidomos ata që garuan, por nuk arritën të fitonin një ulëse në Parlamentin e ardhshëm. Jo të gjithë e dëgjuan thirrjen e kryetarit, që e bëri të qartë se torta e pushtetit ka mundësi të ofrojë poste e rroga duke kënaqur të gjithë.
Mungesat ishin fare të pakta në organizimin e socialistëve te Pallati i Kongreseve, por kush shkëlqeu më shumë me mos-prezencën e tij ishte Pandeli Majko, i cili nuk arriti të triumfonte në zgjedhjet e 11 majit.
Pak javë para zgjedhjeve, kryetari i partisë e zhvendosi Majkon nga Kukësi si drejtues politik ku mandatin do ta kishte pasur të sigurt, për ta kaluar në zonën e Kavajës si një kandidat i thjeshtë, territor elektoral të cilin socialistët e humbën në raport me PD. A2 CNN u interesua për t’i marrë një reagim deputetit socialist mbi arsyet e mungesës së tij në festën e PS, por Pandeli Majko nuk kishte asnjë përgjigje, duke vijuar të ndjekë strategjinë e heshtjes, ndonëse zgjedhjet e fundit i treguan se nuk rezulton me bereqet politik.
Në takim nuk ishte as ministri Arbjan Mazniku, i cili mungesën e kishte të arsyetuar për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.
Edhe Gjirokastra nuk ishte e plotë në pjesëmarrje, pasi ish-kryebashkiaku, Tërmet Peçi nuk festoi me kolegët e majtë dhe “Komandantin” zgjedhjen e tij si deputet. As ai nuk iu përgjigj interesimit mbi shkaqet e mungesës në takim.
Mimi Kodheli është një tjetër emër i njohur i socialistëve që nuk ishte e pranishme për të dëgjuar mesazhet e kryetarit. Shkak nuk duket të jetë mandati që nuk arriti të fitonte, pasi ish-ministrja e Mbrojtjes ndodhej jashtë vendit duke marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, raporton A2 CNN.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






